Las Vegasi, republikanët bëjnë thirrje për unitet

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për unitet dhe lutje pas vrasjeve masive në Las Vegas, por nuk ofruan ndonjë legjislacion të ri për të shtrënguar ligjet mbi armët e zjarrit.
Ata thanë se një projekt-ligj për të zbutur rregulloret mbi blerjen e silenciatorëve do të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
“Ne të gjithë jemi të tronditur nga ky tmerr në Las Vegas”, tha kryetari i Dhomës, Paul Ryan në një konferencë shtypi. “Është thjesht e tmerrshme”, tha ai.
Ryan tha se nuk ka ndonjë plan që Dhoma e Përfaqësuesve të veprojë së shpejti rreth projektligjit të mbështetur nga Shoqata Kombëtare e Armëve për të zbutur rregulloret mbi silenciatorët.
Projektligji nuk është planifikuar për tani. Nuk e di se kur do të planifikohet”, tha zoti Ryan.
Ryan dhe udhëheqësit e tjerë republikanë bënë thirrje për unitet dhe shtuan se një mënyrë pozitive për t’iu përgjigjur tragjedisë është dhurimi i gjakut.
Komentet e zotit Ryan erdhën pas thirrjeve të përsëritura të demokratëve rreth një ligji për sigurinë e armëve.