Kullë 35 katëshe tek hotel “Tirana” dhe 10 kulla të tjera 81 metra në qendër

Kulla 35 katëshe pas hotel “Tiranës”, punimet e së cilës do të fillojnë së shpejti, do të shërbejë si hotel dhe qendër tregtare.
Në dokumentat e tenderit në fillim thuhej se qëllimi i godinës ishte zgjerimi i hapësirave të hotel “Tiranës”. Ky justifikim dukej aspak bindës, pasi godina që do të ndërtohet është katër herë më e lartë se hotel “Tirana”. Tashmë është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e ndërtesës do të jetë qendër tregtare. Sipas projektit, kulla do të ketë 5 kate parkim nëntokësor dhe 30 kate mbi tokë. Nuk dihet ende se sa nga këto kate do të shërbejnë si qendër tregtare.
Leja për ndërtimin e saj, nga e njëjta kompani që ka nën pronësi dhe hotel “Tirana International”, u dha në mungesë të plotë transparence në prill të vitit 2017 nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga studio Atelier 4, studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama, dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Tashmë, me nisjen e punimeve për kullën “Sytë e Tiranës”, po në qendër, dhe me zbulimin e destinacionit të kullës pas hotel “Tiranës”, është mëse e qartë se Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj kanë nisur zbatimin e planin e qendrës së Tiranës të hartuar nga firma franceze “Achitechture Studio”, i njohur si plani francez.
Plani francez parashikon ndërtimin e 10 kullave të larta-mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe-të cilat do të vendosen përqark Sheshit “Skënderbej” dhe anash aksit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.