Kryebanditi i Elbasanit iku nga Rinasi i shoqëruar nga policia!

Autori i sulmit ndaj Policisë në Elbasan, Suel Çela është larguar jashtë shtetit nga Aeroporti i Rinasit me ndihmën e policisë. Denoncimi është bërë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri i Policisë së Elbasanit shkruan se, Suel Çela është larguar jashtë shtetit që natën e 18 shtatorit, pasi sulmoi me makinë nëndrejtorin e Policisë së Elbasanit. Ai bën të ditur se, Çela është përcjellë nga Policia në Aeroportin e Rinasit. “Çunat e krimit kanë dërguar jashtë vendit vrasësin Suel Çela! Lexoni mesazhin e oficerit dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje doktor, jam oficer policie. Një punonjëse e Aeroportit më informon se, Suel Çela ka ikur i përcjellë nga Policia që në datë 18 nga Rinasi. Prokuroria ka ardhur për të marrë filmimet e kamerave. Gjë që nuk i ka pëlqyer policisë. Nuk e di nëse është i regjistruar në TIMS”, shkruan qytetari.
Të gjitha strukturat e shtetit janë vënë në mbrojtje të autorëve që sulmuan Policinë e Elbasanit. Biznesmeni Petrit Çela është mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Banda e drejtuar nga djali i tij dhe dhëndri i kreut të Bashkisë detyruan qytetarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga ngjarja e rëndë e Elbasanit, ku një makinë e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë, autorët vijojnë të jenë të lirë. Kryeministri Rama në vend që të dënonte sulmin ndaj zyrtarit të lartë të policisë, deklaroi në Parlament se, do të merren masa ndaj policëve që morën pjesë në operacion për bllokimin e makinës së blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Pas ngjarjes së rëndë, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje biznesmenin Petrit Çela, të atin e të akuzuarit Suel Çela. Avokati i Ramës, Eno Bushi kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit. Me këtë veprim, vërtetohet se autorët që sulmuan policinë dhe mbajnë nën terror të gjithë qytetin nuk do të arrestohen, pasi ata kanë mbrojtjen e vetë kryeministrit.

Si u lanë të lirë trafikantët e drogës

Edhe në operacionin kundër kultivimit të kanabisit në Lazarat, policia mori në mbrojtje trafikantët, pasi kishin lidhje direkt me zyrtarët e lartë në trafikun e drogës. Gjatë operacionit policor në Lazarat që u zhvillua në fillim të muajit shtator 2014 u arrestuan vetëm disa fshatarë që kishin kultivuar lëndën narkotike, ndërsa trafikantët kishin në zotërim plantacionet me drogë u lanë të lirë. Kultivimi dhe trafikimi i drogës në Lazarat bëhej nga njerëz të fuqishëm që kishin lidhje direkt me qeveritarët. Njëri ndër ta ishte edhe Kostandin Xhuvani, djali i Luiza Xhuvantit, në atë kohë deputete e Partisë Socialiste.
Pas marrjes së pushtetit nga Partia Socialiste në qershor të vitit 2013, Kostandin Xhuvani u shpërngul nga Tirana në Gjirokastër prej nga drejtonte një bandë të trafikut të drogës drejt Italisë dhe Greqisë. Ky fakt u denoncua nga mediat dhe opozita, por PS e mbrojti me forcë Xhuvanin. Në një nga seancat parlamentare, ndërsa opozita denonconte djalin e Luiza Xhvanit si trafikant droge në Lazarat dhe si autor të plagosjes së një qytetari me armë në Gjirokastër, kjo e fundit bëri shou duke e sjellë djalin nga Gjirokastra me një helikopter të ushtrisë dhe doli para mediave bashkë me të para selisë së Kuvendit, duke deklaruar se djali i saj është në Tiranë dhe jo në Gjirokastër.
Pak muaj më vonë, Kostandin Xhuvani u arrestua për vrasjen e trefishtë në një lokal tek rruga e “Elbasanit” dhe po vuan dënimin, ndërsa Luiza Xhuvani u detyrua të japë dorëheqjen si deputete e PS. Operacioni policor në Lazarat ishte një shou, pasi u izolua Lazarati, i gjithë territori i Shqipërisë u mboll me kanabis nga trafikantët që mbështeteshin nga qeveria. Paratë e drogës u përdorën për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti.

“Arratisja” e Suel Çelës, e njëjta skemë si me vrasësin Frroku

Suel Çela është larguar jashtë shtetit me ndihmën e policisë njëlloj siç u veprua me vrasësin Arben Frroku. Vrasësi i kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku u largua nga Shqipëria me ndihmën e policisë më 19 qershor të vitit 2015, 10 ditë para se të jepej vendimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Frroku bëri fushatë për Partinë Socialiste në Pukë para se të “arratisej” me ndihmën e autoriteteve. Gjatë fushatës zgjedhore, ai është takuar edhe me kryeministrin Rama në një lokal në Pukë.
Pas takimit me Ramën Frroku është larguar drejt Malit të Zi, ku edhe u ndalua nga policia malazeze, por Ministria e Brendshme e Shqipërisë i ka kërkuar palës malazeze që ta lënë të lirë Frrokun, pasi ndaj tij kishte një vendim Gjykate, që e shpallte të pafajshëm. Prokuroria bëri të ditur atëherë se, Arben Frroku mund të jetë larguar nga territori shqiptar, pa u kontrolluar ose punonjësi i policisë në pikën doganore nuk e ka regjistruar daljen e tij. Vrasësi Frroku u ndihmua nga autoritetet shqiptare që të arratiset pa lënë gjurmë, për këtë shkak, ai nuk është regjistruar në sistemin TIMS në pikën kufitare. Një vit më parë, Arben Frroku u arrestua në Holandë dhe pritet ekstradimi i tij, pasi Gjykata e Lartë e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Po ashtu, policia dhe zyrtarët e lartë morën në mbrojtje edhe vëllain e tij, deputetin Mark Frroku, i cili kërkohej nga Interpoli belg për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Belgjikë. Interpoli belg kishte dërguar dy kërkesa zyrtare për ekstradimin e Frrokut, por ato u mbajën të fshehta nga zyrtarët e lartë me qëllim që të mos ekstradohej deputeti Frroku, pasi ai ishte në koalicion me Partinë Socialiste.
Pas publikimit të lajmit në media, Interpoli belg kishte sjellë dokumentin për ekstradimin e Frrokut që më datën 3 dhe 23 janar, por ky dokument është mbajtur i fshehtë, mazhoranca e përgënjeshtroi dhe e kaloi në heshtje. Por pas reagimit të ashpër të, Komisionit Europian, i cili kërkoi përshpejtimin e procesit për ekstradimin e Mark Frrokut, mazhoranca u detyrua që t’i heqë mandatin e deputetit dhe më pas ta arrestojë Mark Frrokun.