“Kritikat qëndrojnë”

Vincenzo Montela mbetet optimist pavarësisht problemeve me të cilat përballet Milani i tij. “Humbja ndaj Romës ishte e pamerituar dhe është një plagë, të cilën do të tentojmë ta shërojmë shpejt duke insistuar tek puna dhe duke qenë të motivuar për të arritur rezultate më të mira. Rruga për ne është kthyer në një malore, por edhe kjo është normale sepse duhet kohë edhe pse në mënyrë kontradiktore jemi vetë ne të parët që besojmë se koha nuk premton”, u shpreh Montela.
Sa i takon kritikave që vërshojnë drejt tij, Montela nuk duket i shqetësuar as tani që ato janë shtuar pas rezultateve të fundit negative. “Mendoj se këto kritika qëndrojnë, janë të bazuara duke qenë se pritshmëritë ishin shumë të larta. Por ne e njohim realitetin në të gjitha dimesionet e tij. Rrugëtimi ynë duhet të ketë si finale rritjen tonë dhe arritjen e objektivit për të qenë ndër katër skuadrat e para të klasifikimit. Distancë që nuk është aq e madhe. Këtë punë e bëj tashmë prej disa vitesh dhe i njoh shumë mirë risqet që ai mbart. Duke trajnuar një skuadër si Milani risku është gjithnmonë shumë më i madh sikundër edhe spekulimet, kritikat apo thashethemet. Nga ana tjetër pozitive tek ky profesion është se të duhet menjëherë të përgatitesh për ndeshjen e radhës dhe shpresa është bashkudhëtare e jotja. Idetë i kam të qarta, objektivi tashmë projekton një sukses në derbi”, tha trajneri i Milanit.
Edhe pse presioni është i madh nga ana mediatike, trajneri kërkon që të mos kushtëzohen aq sa si pasojë ekipi i tij të bllokohet fare. Por edhe pse Montela nuk dorëzohet është pikërisht derbi me Interin ku ai shpreson, që mund të rrezikojë e trondisë pozitat e 43-vjeçarit në stolin e kuqezinjve në rast të një rezultati negativ.
Ndërkohë, Interi po bën gati strategjinë për ndërhyrje në merkaton e janarit, aty ku synohet të afrohen lojtarë që të ndihmojnë skuadrën në fazën sulmuese. Zikaltërit i kanë bërë një nisje të jashtëzakonshme sezonit me 19 pikë të grumbulluara në 7 javët e para, aq sa Juventusi kampion dhe dy pikë më pak se Napoli që kryeson me pikë të plota. Çelësi i suksesit në formacionin e Spaletit është mbrojtja, e cila rezulton më e mira e kampionatit me 3 gola të pësuar, ndërkohë që sulmi i zikaltërve është larg rivalëve.
Me 14 golat e shënuar Interi renditet në të njëjtën pozitë me Romën dhe pas Napolit me 25 gola, Juventusit me 20 dhe Lazios me 19. Nisur nga kjo merkatoja e janarit duket e përqendruar pikërisht për të përforcuar repartin e sulmit. Arturo Vidal është preferenca kryesore, një futbollist me peshë për të ringritur Interin jo vetëm në Itali, por edhe në Europë.