Krimi fshihet pas Skënderbeut

Frrok ÇUPI

Këtij viti ia vunë emrin “i Skënderbeut”. Mirë, askush nuk mund të thotë ‘pse?’.
Por kjo është edhe arsyeja pse ia vunë këtë emër. Sikur dikush të dalë të pyesë ‘pse?’, atëherë ky quhet ‘tradhëtari i kombit’. Nuk ka vlerë arsyeja pse ai tjetri e tha ‘pse, vëlla, Skënderbeun?’. Ai mund të jetë i uritur; mund të ketë fëmijët pa shkollë; mund të mos ketë shtëpi për këtë dimër (ose edhe po të ketë-njerëzit nuk i ka në shtëpi; disa i kanë ikur në Gjermani, ose ndoshta edhe fëmijët e gënjejnë se ku janë). Ose mund të jetë një i sëmurë mendor.
Të gjitha këto janë arsyet pse shteti, pa pyetur fare, ia vuri emrin këtij viti “i Skënderbeut”, sepse të gjitha arsyet e mësipërme janë nga ato që shteti i përdor lehtësisht kundër individit e mund t’i thotë tjetrit ‘ik ore antikombëtar’, ‘i marrë’. Dhe i mbyll gojën.
Ka edhe një arsye tjetër pse shteti e vuri emrin ‘Vit i Skënderbeut’ ashtu pa pyetur fare, sepse e di se në popull, me një fjalë u mbyll gojën të gjithëve. Vijmë nga sistemi i egër i diktaturës dhe për njerëzit ‘një emër’ zë gjithë hapësirën, nuk mund të ketë edhe ‘vit i Skënderbeut’ edhe vit i varfërisë”, edhe “vit i mollëve”… brenda një viti. Jo, pas Njëshit nuk ka Njësh tjetër.
Një pyetje jashtë “rregullit”:
Pse ky vit nuk u emërtua edhe “Vit i Skënderbeut”, edhe “Vit i Krimit”, edhe “Vit i mollëve”, për shembull?!
Shtetet e Bashkuara, përmes Departamentit të Shtetit, i kanë sugjeruar qeverisë shqiptare që këtë vit ta kthejë në ‘vit kundër krimit’ të organizuar. Nëse nuk ndodh realisht që viti dhe…, muaji, dhe dita të kthehen në ‘sahat’ i fundit për krimin, atëherë ç’vlerë kanë emërtimet e tjerë?! Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadorit, tha se kur klani kriminal ekziston përballë, atëherë nuk mund të ketë as gjykatës, as prokuror, as ministër, as qeveri…, madje as pastrues qyteti-të pakorruptuar.
Pak më lart se kaq:
Në një shtet të tërhequr nga krimi, cila është vlera e Skënderbeut?! Skënderbeu-Gjergj Kastriot, është fatmirësisht figura më e lartë simbolike e kombit. Por nëse shteti ka krim, cila mund të jetë vlera reale e kombit?
Kjo është çështja. Përdoret lustra, demagogjia, fasada, ironia, fotografia me Donald Trump, ecejaket në BE, triumfi ose hendeku në zgjedhje… Në rastin tonë, ‘Skënderbeu’ po përdoret nga politika për të fshehur ‘vitin e krimit’: “Thua ti që të mos nderojmë Skënderbeun? Antikombëtar!”.
Kombi ka ardhur në një pikë vërtet delikate. Në atdheun e vet nuk ka drejtësi dhe shtet kombëtar; ekonominë ia ‘ushqejnë’ ose ia masin në fyt 20 familje kriminale. 4 për qind e njerëzve mbajnë në duar 90 për qind të pasurisë kombëtare. Pasuri kombëtare jona quhet malli që helmon fëmijët tanë dhe europianët…
Jashtë atdheut të vet, kombi përgojohet: “Ai shqiptari, krimineli i ftohtë”.
Ndërsa në planin botëror, aleatët tanë strategjik, të paktë-natyrisht, nuk mund të bëjnë asnjë hap në drejtim të mbështetjes së kombit tonë para se rruga të jetë pastruar nga krimi. Këtu do të kalojnë akset politike e strategjike; këtu do të kalojnë blloqet e mëdha dhe aleancat; këtu do të kalojnë traktatet e rendit të ri botëror. Në një klimë të inkriminuar nuk mund të kalojnë asnjë nga këto “ushtri’ përparimtare të botës; madje më lehtësisht kalonin në shekullin 19 ushtritë e Napoleonit në Luftën patriotike kundër Rusisë.
Aq më pak, patriotizmi ynë, do të ndihej i qetë nëse shteti është nën krim.
Atëherë pse e venë “Patriotizmin” në rrugë për të mbuluar mijëra emra të tjerë që kemi, që nga emri i Heroit Kombëtar, deri te emrat rreth varfërisë apo begatisë? Kjo është çështja. Po mbushet një shekull që kemi provuar hidhët çfarë fshihet pas “Skënderbeut” (Patriotizmit). Është fshehur diktatura, dhuna, mungesa e lirisë, shembja e besimit, izolimi, varfëria, e padrejta për të jetuar… Ky ishte krimi i atëhershëm. Edhe atëherë kishim Skënderbe, kishim komb (madje të lavdëruar prej nesh), kishim flamur dhe Parti, por… pa liri, pa mirëqenie, pa lëvizje, pa të drejta.
Mendo sa i rëndë është për ne krimi në shtet!, aq i rëndë sa të gjitha çfarë numërova më lart; dhe ca më i rëndë. Nuk ka gurë piedestali që e mban në shesh…