Komandoja i ushtrisë, kapo i grupit që shiste drogë tek ish-Blloku

Ushtari profesionist Xhuliano Kasaj i prangosur tashmë, ishte drejtuesi kryesor i rrjetit që tregtonte droga të forta. Edhe pse kishte zgjedhur rrugën fisnike, duke shërbyer si ushtar profesionist në forcat tokësore të Zallherrit, nuk i kishte shpëtuar pjesëmarrjes në aktivitet kriminal. Kokaina e sekuestruar një ditë më parë në Tiranë, kishte si treg të saj lokalet e natës dhe ato të lojërave të fatit.
Xhuliano Kasaj u arrestua ditën e hënë nga oficerët e Komisariatit Nr. 6., në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Tekstili”, dhe iu gjetën në banesë rreth 80 gram kokainë. Së bashku me ushtarin Kasaj, në pranga ra edhe “vartësi” i tij Denis Kanani, i cili përveç kokainës shpërndante edhe kanabis.
Fillimisht për të rënë në gjurmët e Kasajt, Policia kishte mbi një muaj që monitoronte çdo lëvizje të Denis Kananit. Ky i fundit, tregtonte lëndë narkotike në lokalet e natës, në zonën e ish-Bllokut, duke u fiksuar në të paktën 3 raste nga kamerat e sigurisë. Sipas hetimeve blerësit e kokainës dhe kanabisit ishin, personat VIP, si këngëtar apo edhe lojtar i lojërave të fatit.
Ky aksion, lidhet me atë të policisë disa ditë më parë, në kryeqytet, ku u sekuestrua, drogë, tavolina pokeri dhe ambiente të përshtatshme për marrjen e lëndëve narkotike. Fillimisht, komandoja, 22-vjeçar ka tentuar të largohet në momentin e arrestimit të tij, ku po qëndronte në një lokal pranë zonës së ish-Kombinatit Tekstil. Ai ishte munduar më së miri që ta fshihte kokainën në banesë. Policia e gjeti drogën poshtë dyshekut, të mbështjellë me një qese dhe e ndarë në disa doza.