Katalonja dhe absurditeti i krahasimit me Kosovën e Himarën

Enver Bytyçi

Katalanja votoi dje për pavarësinë e rajonit të saj nga Spanja. Pak javë më parë votoi edhe Republika Autonome e Kurdistanit në Irak për pavarësinë e tij nga Bagdati. Barcelona dhe Mosuli u promovuan si dy kryeqytete të reja, të cilët u shfaqën në horizontin e hartës gjeopolitike të botës së sotme. Pas promovimit të kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, është e natyrshme që grupet etnike të kenë sukses në synimet e tyre për pavarësi dhe kriijimin e shteteve të reja. Referendumet e zhvilluara në këto ose rajone dëshmuan se vullneti i popujve është determinant dhe se forca nuk mund të ndalë shprehjen e tij. Ky është vetëm fillimi i një procesi, që duket se nuk e ka përkrahjen ndërkombëtare, por që në fakt dëshmon për promovimin e politikave të reja globale. Bota gjendet përballë tendencës së dezintegrimit dhe vala e këtij procesi duket se do të përhapet në rajone e vende të tjera federale ose jo federative. Rajone të shumta në botë kanë identitete të ndryshme përkundrejt shteteve me të cilat ato janë asocuar për shkak të rrethanave historike. Të gjitha ose shumica prej tyre do të donin lirinë dhe pavarësinë e tyre, jo thjesht për shkak të mundësive më të mëdha ekonomike e sociale, siç thuhet në zhargonin propagandistik europian për Katalanjën, por për shkak të dallimeve thelbësore në identitet, në kulturë, në trashëgiminë historike e etnike dhe në mënyrën e ndërtimit të jetës politiko-sociale. Në Barcelonë dhe qytete të tjera të Katalanjës pamë policë të shumtë të dhunshëm të dërguar nga qeveria qendrore e Madridit, ndërkohë që u shfaqën policë vendas që merrnin në mbrojtje viktimat e Policisë Speciale madridase. Pamë gjithashtu se si qytetarë të vendosur që paqësisht, madje si në ditë feste, dhanë verdiktin e tyre për pavarësinë e rajonit ku jetojnë. Shfaqje të tilla do të shohim edhe në vende e rajone të tjera, por ka mundësi të shohim edhe dhunë e masakra kundër njerëzve liridashës. Erdogan reagoi pak me cinizëm ndaj referendumit të kurdëve, kur e krahasoi situatën atje me shtetësinë e Kosovës, duke vënë një paralele të panevojshme dhe të pasaktë midis të dy rasteve. Kjo, sepse Kosova ka siguruar deri tash 114 njohje ndërkombëtare dhe se Turqia e Erdogan ishte i dyti ose i treti vend që e njohu pavarësinë e saj. Për këtë arsye, besoj se krahasimi lidhet me ndonjë qejfmbetje të Presidentit të Turqisë ndaj qëndrimeve të Prishtinës në marrëdhëniet e saj me Ankaranë. Ndërsa sa i përket referendumit të Katalanjës shoh që kanë reaguar tri kategori: Së pari, janë entuziastët e optimistët, të cilët e konsiderojnë Katalanjën që sot si shtet të konstruktuar e të promovuar ndërkombëtarisht. Natyrisht që referendumi i djeshëm është vetëm fillimi. Një fillim i vështirë, që do të dojë ndoshta dekada të bëhet realitet, derisa ky vend e ky shtet të ulet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, edhe pse procesi po ndodh në Europë, në kontinentin e vlerave të demokracisë, gjeopolitika dhe influenca e Madridit do ta bllokojë për një kohë relativisht të gjatë formësimin e plotë të shtetësisë së Katalanjës. Spanja e ka dhënë këtë provë në rastin e Kosovës. Prej dhjetë vitesh ajo jo vetëm heziton ta njohë shtetin e Kosovës, por lobon me të gjithë fuqinë e saj në vendet spanjishtfolëse të Amerikës Latine, që edhe këto vende të mos marrin një vendim pro Kosovës. Ndërkaq është Spanja vendi kryesor që po bllokon integrimet euro-atlantike të shtetit më të ri në Ballkan, po megjithatë nuk ia doli që të ndalojë procesin e pavarësimit të Katalanjës. Prej Katalanjës sindroma e referendumit për pavarësi do të shtrihet te baskët, pavarësisht se qeveria e Madridit pati besuar fort se do ta evitojë këtë proces me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Madje hezitimi për njohjen e saj më duket se ka përshpejtuar referendumin e djeshëm në Katalanjë dhe ka ndikuar që në heshtje disa vende perëndimore ta pranojnë rezultatin e këtij referendumi. Së dyti, janë deklarimet e liderëve serbë, Vuçiç dhe Daçiç, të cilët shpejtuan menjëherë të venë shënjën e barazimit midis Kosovës si “pjesë integrale” e Serbisë dhe Katalanjës si “pjesë integrale e Spanjës”. Të dy vendet kanë shprehur solidaritet reciprok në “fatkeqësinë” e tyre të “ndarjes së territorit”. Në përgjigje të kësaj aksiome krahasuese duhet sqaruar se, Beogradi dëshiron me këtë rast jo vetëm zhvleftësimin shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe relativizimin e krimeve serbe në Kosovë. Eshtë e njëmijta herë që shkruaj dhe përsëris krimet serbe në Kosovë: Rreth 20 mijë të vrarë, të masakruar dhe të humbur e të pagjetur në varrezat serbe të Milosheviçit. Rreth 20 mijë gra dhe vajza të keqtrajtuara dhe të përdhunuara nga ushtarët, paraushtarakët, oficerët dhe milicët serbë në tre muaj. Mbi 40 mijë banesa, apartamente, godina biznesi, objekte sociale, fetare, kulturore e të shërbimit, të shkatërruara plotësisht e të djegura. Me mijëra hektarë bimësi të produkteve bujqësore, vreshta e pemtari të djegura e të shkatërruara. Dhe më në fund një milion shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, në kuadër të politikave të spastrimit etnik të Kosovës. Ky ishte bilanci i terrorit serb në Kosovë dhe pas këtij bilanci as ufot nuk do të guxonin të pranonin sovranitetin e ndonjë sunduesi në vendin e tyre. Nëse dikush dëshiron të rikthejë idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës ose ndonjë lloj sovraniteti qoftë dhe simbolik të Serbisë në Kosovë, kjo çmenduri do të përkthehej në vazhdimin e një konflikti të nisur 150 vite më parë. Prandaj krahasimet që bëjnë në Beograd janë abuzive dhe jo logjike. Ato vetëm se ndihmojnë të rikthehet analiza e historisë së para 20 viteve në Kosovë, kur Serbinë e sundoi diktatori Milosheviç. Së treti, ka disa që duke kritikuar entuziazmin e shqiptarëve për referendumin e Katalanjës, paralajmërojnë “refrendum në Dropull e Himarë”. Kjo teori është jorealiste. Katalanja është tetë milionë banorë dhe gëzon një autonomi të caktuar me kufij të qartë etnikë. Dropulli është një ishull i rrethuar nga territore të banuar me shqiptarë dhe me diku te 15-20 mijë grekë etnikë. Këta grekë etnikë nuk kanë asnjë mundësi t’i bashkëngjiten shtetit grek, ndërkohë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e botës që të krijohen shtete me kaq pak banorë. Himara është histori, për të cilën gabohen këta paralajmërues që e rendisin me Dropullin. Himara është thjesht territor dhe popullsi shqiptare, edhe pse ka himariotë që marrin pensione nga Athina e shpallen si grekë. Një ditë do të kthjellohen retë e kësaj tymnaje që e trazon Athina. Përfundimisht duhet thënë se promovimi i lirive dhe të drejtave themelore individuale në dokumentet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e fundit, nuk mund të injorojë si rregull realizimin e të drejtave kolektive. Nëse një individ ka të drejtat e tij edhe në identitet edhe në pjesëmarrjen në qeverisje e për gjithçka tjetër, nuk mundet që një komunitet i madh njerëzish në raport me rrethanat të qëndrojë i ndryshur në të drejtat e tij etnike ose fetare.