Italisë i shtohen hallet

Pas mungesës së sigurt të Marko Verratit, lista e të dëmtuarve të Italisë po vazhdon të zgjerohet me kalimin e orëve. Pas Daniele De Rosit, do të kthehet në Romë edhe shoku i tij i skuadrës, Lorenco Pelegrini. Vendet e tyre do të zihen nga Galjardini dhe Kristante. Në një moment delikat si ky kur “Axurrët” presin Maqedoninë të premten dhe udhëtojnë të hënën për takimin e fundit eliminator ndaj Shqipërisë, shtohen problemet për trajnerin Xhan Piero Ventura. Në orët e mbrëmjes, të dëmtuarve u është shtuar Andrea Beloti.
Lojtari i Torinos, pas ndrydhjes së gjurit në ndeshjen ndaj Veronës, kishte një fije shprese për t’iu bashkuar kombëtares italiane. Vizita e hollësishme në Romë evidentoi një problem në gju, i cili kërkon të paktën një muaj pushim, me sulmuesin që është rikthyer në Torino dhe i jep përfundimisht lamtumirën kombëtares për sa u përket dy ndeshjeve të radhës.
Shqetësimi më i madh i të kaltërve lidhet me gjendjen e sulmuesit titullar, Andrea Belotti. Pak minuta përpara fundit të ndeshjes ku Torino barazoi me Veronën, lojtari u largua nga fusha me barrelë prej problemeve në gju. Belotti ishte dukshëm i shqetësuar, ndërsa trajneri Ventura dhe e gjithë Italia janë në ankth. Edhe pse pritet diagnoza e saktë e dëmtimit, sipas gjasave sulmuesi do të mungojë në ndeshjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Problemi te Italia bëhet edhe më serioz nga problemet muskulore të Marco Verratti-t, i cili nuk i është bashkuar grumbullimit të skuadrës në Koverçano. Në këtë situatë, për të zëvendësuar Belottin dhe Verratin, trajneri Ventura grumbulloi në ekip sulmuesin e Kievos, Roberto Ingleze dhe mesfushorin e Kaljarit, Nikolo Barrela. Tjetër i dëmtuar për të kaltërit është edhe Antonio Candreva. Lojtari i Interit u largua nga fusha në minutën e 51-të në sfidën ndaj Beneventos për shkak të një lëndimi në dorë. Gjendja e 30-vjeçarit do të vlerësohet në orët në vijim, edhe pse situata e tij duket më pak serioze se ajo e shokëve të skuadrës.