Italia, fitore kundër mafies

Gjatë një aksioni të përbashkët, policia italiane dhe gjermane arrestuan një numër të pandehurish që i përkasin një klani të Cosa Nostrës siçiliane. Në Romë, morën pjesë në këtë aksion rreth 600 punonjës të njësive antimafia “Druso” dhe “Extra Fines”. Ata arrestuan 37 vetë. Në Këln, policia arrestoi dy italianë. Ata akuzohen për tregti drogash dhe veprime kriminale në tregtinë e ushqimeve.
Kontaktet e mafies shkojnë deri në Duisburg
Të gjithë të arrestuarit duhet t’i përkasin klanit “Rinzivillo” të organizatës mafioze Cosa Nostra. Familja në fjalë me origjinë nga Gela e Siçilisë përpiqej të shtinte në dorë tregtinë e prodhimeve të peshkut në Romë, Milano dhe Gjermani.
Po ashtu anëtarët e klanit Rinzivillo kishin kontakte edhe me Antonio Strangion, pronarin e lokalit “Da Bruno” në Duisburg, ku në gusht 2007 pati gjatë të shtënave me armë, gjashtë të vdekur.

Sekuestrim pasurish në miliona
Goditja e suksesshme kundër klanit mafioz u bë e mundshme falë hetimeve prej disa vjetësh dhe bashkëpunimit mes prokurorive të Italisë dhe të Gjermanisë në Karlsruhe dhe Këln. Gjatë arrestimeve janë sekuestruar armë, drogë si dhe pasuri të patundshme dhe mallra në vlerë prej 11 milionë eurosh.