Investitoret e huaj akuza tatimeve: Po na kontrollojnë inspektorë të paaftë

Investitorët e huaj ankohen se inspektorët që u paraqitet në kontrolle janë të pakualifikuar, madje dhe qëndrojnë në zyra në një afat të gjatë, duke penguar aktivitetin. Shqetësim është ngritur në një takim midis Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Drejtorisë së Tatimeve vetëm pak ditë pas nisjes së fazës së tretë antiinformalitet. Për këtë të fundit është nënvizuar se aksioni nuk mund të jetë më faza. Ndërsa drejtorja e Drejtorisë së Tatimpaguesve, Enkelejda Pipa, premton ndryshim të shpejtë të formës së kontrolleve. Vetëm disa ditë pas nisjes së fazës së tretë të aksionit antiinformalitet përfaqësuesit e investitorëve të huaj shprehin ankesa mbi kontrollet nga inspektorët tatimorë. Ky problem është prezent nga bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri gjatë një takimi të zhvilluar me Drejtorinë e Tatimeve. Alketa Uruçi, anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se ndodh shpesh që, inspektorët që vijnë për kontrolle nuk kanë kualifikimin e duhur. “Fatkeqësisht deri tani edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj që sigurisht ka inspektorët më të trajnuar dhe më cilësorë profesionalisht shohim inspektorë që vijnë në kontroll dhe rrinë 2 muaj, 3 muaj duan të shohin çdo gjë, por nuk dinë çfarë të kontrollojnë”, u shpreh ajo. Dhoma Amerikane kërkoi ndër të tjera që lufta ndaj informalitetit të jetë e vazhdueshme dhe jo me faza. “Do të doja që të shihja një luftë kundër informalitetit konstante, jo me aksione, jo me kontrolle të dhunshme”, tha më tej. Përfaqësuese e DHAT, Alketa Oruçi deklaroi se në fillim, rezultatet nuk ishin ato që priste qeveria. “Nuk mund të mos them se ishim në të njëjtat pozita, ku rezultatet nuk ishin ato që priste qeveria. Do të doja që kontrollet të ishin konstante dhe jo luftë. Do të doja që inspektorët të ishin më të trajnuar. Shohim inspektorë që nuk dinë çfarë kërkojnë. Harxhohet koha nga të dyja palët. Kontrolli duhet të jetë më i fokusuar”, deklaroi znj. Oruçi. Ajo shton se kontrolli nga zyra, duhet të përcaktohet më mirë dhe t’i bëhet i njohur Tatimpaguesve më parë. “Kjo do të shkurtonte procedurat burokratike, duhet të na lajmëroni më parë. Edhe kërkesat me e-mail nga Administrata Tatimore bëhen të bezdisura, nuk duhet të vijnë njëkohësisht të gjitha”, këshilloi në fund përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Në ditët e para të aksionit antiinformalitet në të gjithë territorin e vendit janë kontrolluar rreth 1400 biznese.