Hajdutë, larg duart nga Shtypshkronja “Demokracia”!

Mafia e ndërtimit ka zgjatur duart ditët e fundit tek një objekt që për vite ka qenë simbol i shtypit të printuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për Shtypshkronjën “Demokracia”. Kjo është shtypshkronja e parë e shtypit të lirë në Shqipëri, e cila është një donacion i qeverisë amerikane në majin e vitit 1992 kryesisht për gazetën “RD” dhe tre gazeta të tjera të vogla të asaj kohe, që sot janë jashtë tregut. Investimi amerikan kapte shifrën e 1 milion dollarëve në atë kohë dhe përfshinte koston e shtypshkronjës dhe të truallit.
Shtypshkronja ndodhet pranë rrugës “Jordan Misja” dhe shtrihet në një zonë që kohët e fundit është bërë mjaft e frekuentuar për ndërtuesit për shkak të shtrirjes së Bulevardit të Tiranës deri në zonën e Paskuqanit. Prej kohësh ndaj shtypshkronjës janë ndërrmarë sulme duke e dëmtuar atë. Qëllimi ka qenë që të nxjerrin jashtë funksionit të plotë makineritë e shtypshkronjës dhuratë e qeverisë amerikane. Ky ka qenë hapi i parë i mafies së ndërtimit. Prej javësh, kjo shtypshkronjë ka rënë pre e gjuetisë së këtyre banditëve që kanë koperturë politike. Muret janë dëmtuar dhe po ashtu edhe shtypshkronja.
Qëllimi për ta përfituar shtypshkronjën në mënyrë të njëanshme nga një bandë me koperturë politike vlon në fakt prej kohësh. Pjesë e këtij plani ka qenë edhe plani për ta falimentuar atë kohë më parë. Autorët kanë pasur si qëllim që të ndjekin strategjinë e tokës së djegur, duke shkatërruar gjithçka dhe më pas ta përvetësojnë për të ndërtuar mbi atë truall. Ditët e fudit janë vënë në lëvizje disa individë që kërkojnë ta përvetësojnë në mënyrë të paligjshme.
Gazeta “RD” e cila është pjesë e pronësisë së kësaj shtypshkronje me të gjitha dokumentat nuk do të lejojë këtë mafia të ndërtimit të tjetërsojë këtë pronë që është një investim amerikan dhe që për kontributin në kohën që ka pasur duhet të ishte kthyer në një monument të lirisë së shtypit.
“RD” paralajmëron këta hajdutë që ditën shesin moral politik dhe natën zhvasin pasuritë, ku “RD” është pjesë se do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë dhe denoncimet publike dhe penale ndaj tyre. Nuk mund të lejojë kurrsesi që këta grabitqarë politikë dhe minj të tjetërsimit të pronave në hipoteka të livadhisin me Shtypshkronjën “Demokracia”. Eshtë koha të kuptojnë se “RD” ka përfaqësuesit e vet ligjorë dhe se loja me mafien e ndërtimit do t’i diskretitojë akoma më shumë përpara opinionit publik.
“RD” do të ndërmarrë po ashtu hapa ligjorë për të kuptuar kushdo se përse ata që e kanë administruar deri tani në mënyrë të njëanshme këtë objekt e kanë degraduar në këtë pikë dhe do të vihen para drejtësisë.
Askush nuk do të mund të shpëtojë nga kjo katrahurë që kanë ndërmarrë disa individë me këtë investim amerikan prej 1 milion dollarësh. Do të denoncohet e gjithë skema e tyre, si e ushtarëve ashtu edhe e ustallarëve që qëndrojnë pas tyre. Mjaft keni abuzuar. Ka ardhur koha të mbani përgjegjësi për atë që keni bërë dhe më tepër akoma për atë që po kërkoni të bëni.

“RD”