Gjermania dhe Anglia, në Rusi

Gjermania dhe Anglia i bashkohen Belgjikës, duke e ngjitur kështu në tre numrin e përfaqësueseve të kualifikuara nga kontinenti i vjetër, për në botërorin e ardhshëm. Pak a shumë pritej nga të gjithë dhe çështja e kualifikimit për këto dy vende për në fazën finale të Rusi 2018 thjesht sa u shty për një muaj. Joachim Low i ka transformuar kampionët në fuqi deri në atë pikë sa pavarësisht se “die mannschaft” u prezantuan në Belfast me një formacion krejtësisht të transformuar Gjermania e zhbllokoi rezultatin në “Windsor Park” pas vetëm 77″, falë silurit të lëshuar nga mesfushori i Bajernit Sebastian Rudy. Ai realizoi në këtë mënyrë golin më të shpejtë për “panzer”-at, që nga viti 1985, kur Andreas Brehme shënonte që në minutën e parë për RFGJ ndaj Çekosllovakisë.
19 minuta më vonë Sandro Wagner gjeti golin e katërt në po kaq ndeshje me përfaqësuesen, ndërsa në 86′ Kimmich e çoi në tre numrin e golave. Gjermania është e vetmja skuadër që grumbullon 27 pikë pas 9 ndeshjeve të para, në këto eliminatore, ndërkaq për Irlandën e Veriut ngushtoi diferencën Magennis në sekondat e fundit të shtesës duke vulosur përfundimisht rezultatin 3-1. Bardhjeshilët janë të sigurtë në vendin e dytë të Grupit C, por në takimin përmbyllës të ditës së dielë ekipit të Michael O’Neill i nevojitet minimalisht një pikë për të garantuar pjesëmarrjen në fazën play off.
Biletën për në Rusi e prenotoi gjithashtu edhe skuadra e Gareth Southgate, me përfaqësuesen e Anglisë që siguroi kualifikimin e gjashtë radhazi për në finalet e një Kupe Bote. Pas rasteve të shumta të humbura dhe pritjeve të Jan Oblak goli përcaktues u shënua në 94′, kur Harry Kane u hap në maksimum për të devijuar drejt rrjetës krosimin e shkëlqyer të ish-shokut të tij te Tottenham Hotspur, Kyle Walker.
Një ndër ndeshjet më të forta u luajt në “Hampden Park”, në Grupin F, ku Skocia mundi minimalisht përfaqësuesen e Sllovakisë. Ndjeshëm influencoi dalja me kartonin e dytë të verdhë e lojtarit të PAOK-ut Robert Mak, që u nxor nga fusha nga gjyqtari serb Milorad Maziç për një simulim në zonën kundërshtare. Pas dy traversave në harkun e pesë minutave nga dyshja Martin-Griffiths ekipi i Gordon Strachan ia doli mbanë për të marrë 3 pikët, falë një autogoli në 89′ nga Martin Skrtel. Skocia për momentin pozicionohet në vendin e dytë me 17 pikë, 2 më tepër sesa Sllovakia, gjithsesi ditën e dielë Sllovakia pret Maltën, ndërsa ekipi i Strachan duhet patjetër të fitojë në Slloveni, pasi kombëtarja e Jan Kozak ka një bilanc më të mirë nga përballjet ndërmjet tyre.
Po për këtë grup Lituania e privoi Maltën nga fitorja e parë në shtëpi, në të gjithë historinë, përsa i përket ndeshjeve eliminatore të një kupe bote, kur Slivka barazoi golin e realizuar në pjesën e parë nga Agius. Në Grupin C u luajtën thjesht për statistika dy ndeshjet e tjera, ku Norvegjia e Lars Lagerback mundi thellë 8-0 modestët e San Marinos, takim ku tre gola u realizuan nga Elyounoussi dhe dy nga Joshua King, rezultat që e çon në plot 46 numrin e golave të pësuar nga përfaqësuesja sanmarineze, ndërsa në takimin tjetër Republika Çeke fitoi 3 pikë pa shumë vlerë brenda në Azerbajxhan.
Kopic zhbllokoi ndeshjen në pjesën e parë, Izmailov barazoi nga pika e bardhë në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Barak i dha fitoren ekipit të tij 24′ para fundit. Në Grupin E Polonia shpartalloi 6-1 në Yerevan Armeninë, sidoqoftë “bardhekuqtë” duhet të presin edhe përballjen e ditës së dielë me Malin e Zi në shtëpi, ku iu mjafton një pikë, për të garantuar pjesëmarrjen në botërorin e ardhshëm. Robert Lewandowski u ngjit në kuotën 15 të golave, ndërsa në total ai arriti në 50 gola duke u bërë goleadori më i mirë në historinë e Polonisë.