Dyndje kërkesash për Lotarinë Amerikane, të gjithë duan të ikin

Të pashpresë në mundësitë që qeveria shqiptare ofron për të ardhmen, të rinjtë shqiptarë kanë kthyer sytë nga Lotaria Amerikane me besimin se fati do t’iu japë mundësinë që të largohen nga vendi drejt një jete më të mirë. Të lidhur nga premtimet, pritjet dhe pamundësitë për të ndërtuar ëndrrat e tyre, sot të rinjtë shqiptarë krahas kërkesave për azil shohin Lotarinë Amerikane si një oportunitet ku mund të nisin dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Data 3 tetor, e cila ka qenë dhe nisja e aplikimeve për Lotarinë Amerikane ka regjistruar një fluks jashtëzakonisht të lartë aplikuesish, ndërkohë që mjafton të kujtojmë se vetëm vitin e kaluar mbi 200 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane. Lotaria Amerikane ka rikthyer shpresat për të rinjtë që duan ta ndërtojnë të ardhmen jashtë Shqipërisë. 24-vjeçari, Aldo Sula, është njëri prej tyre. Ai kërkon ta lërë Shqipërinë për një punë me të ardhura më të larta dhe të ardhme të sigurt. Vitin e kaluar, Aldo Sula, nuk rezultoi në listën e fituesve të Lotarisë Amerikane. Ky tetor ia rikthen sërish shpresat për të jetuar e punuar përtej oqeanit. E ka pritur gjatë ditën e tretë të këtij muaji, dhe me nisjen e aplikimeve u paraqit në qendrën më të afërt për të tentuar edhe një herë ëndrrën amerikane. Aldo, 7 vite më parë la Bulqizën për Tiranën, është 24 vjeç dhe profesioni i tij është kuzhinier. Arsyet që e nxitin në dëshirën për t`u larguar jashtë Shqipërisë janë të panumërta. Edhe pse ende herët, ai mendon për familjet e tij të ardhshme, për fëmijët për të cilët kërkon një të ardhme më të sigurt. “Në Shqipëri nuk mund të kesh absolutisht të ardhura, nuk ka të ardhme të sigurt, mungojnë shumë gjëra. As familjes që nesër do të krijosh nuk ia plotëson dot kushtet. Jashtë shtetit do të punojmë shumë, por do të vlerësohemi. Besoj se në Amerikë do të jenë gjërat shumë më ndryshe, fëmijët mund të kenë një të ardhme të sigurt”, thotë Sula. Sfidat në një vend të ri, nuk e frikësojnë. Përpjekjet për ta ndërtuar të ardhmen jashtë Shqipërisë i ka nisur më herët, duke tentuar rrugët ilegale drejt Britanisë së Madhe. “Unë jam shumë optimist që t’ia nis nga zero, por në Amerikë sesa në Shqipëri që çdo ndryshim pune ia nis nga zero dhe nuk vlerësohesh fare”, thotë Sula. Aldo, nuk është një rast i izoluar. Në dëshirën për të jetuar në Amerikë, apo kudo tjetër përveç Shqipërisë, ai ndiqet nga qindra e mijëra të rinj, të cilët çdo vit shprehin interes të lartë për të plotësuar Lotarinë Amerikane. I pyetur se cilat janë kushtet që ai do donte që të rrinte në Shquipëri, Aldo i pa shpresë përgjigjet: “Asgjë, sepse Shqipëria nuk të ofron asgjë”.

Aplikimet

Tashmë, në faqen zyrtare të Ambasadës është publikuar edhe udhëzimi me rregullat që duhet të ndjekin aplikantët. Këshilla kryesore e zyrtarëve: “Aplikoni herët, por ama vetëm një herë”. Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë, i autorizuar nga Kongresi, administrohet nga Departamenti i Shtetit në bazë vjetore. “Seksioni 203(c) i Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA) mundëson viza për një grup “emigrantësh të shumëllojshmërisë”, prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Pёr vitin fiskal 2019, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë (“të përzgjedhurit”) duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”, thuhet në njoftim. Sakaq, Emily Enright dhe Lorenc Mansaku, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë qenë në studion e emisionit “Rudina” në Tv “Klan” ku kanë dhënë disa të dhëna të rëndësishme. Si për shembull: Fotoja duhet të jetë e re. Aplikimi bëhet herët dhe saktë në gjuhën angleze, etj. Sipas Mansakut, këtë vit do të ketë edhe një ndryshim, i cili do të vihet re gjatë përfundimit të procesit të aplikimit, kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. “Interes ka, ne e shikojmë këtë edhe në “Facebook”, ku na pyesin shumë për kushtet. Për të marrë pjesë ka dy kritere kryesore, ose duhet të kesh shkollën e mesme me kohë të plotë, ose eksperienca e punës, por arsimi është kryesisht ai që i kualifikon shqiptarët. Ka një ndryshim këtë vit, që kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. Këtë vit kjo është e mundur dhe ne sugjerojmë që të shikoni me saktësi informacionin që keni hedhur për të aplikuar. Ka vetëm një faqe ku mund të aplikoni: dvlotterystategov.us. Çdokush ka të drejtë të aplikojë. Duhet të keni parasysh gjithashtu që të aplikoni me statusin aktual, nëse jeni në proces divorci, ju duhet të përfshini bashkëshortin tuaj dhe fëmijët nëse keni”, tha Enright dhe Mansaku.