Dhëndri i Sejdinit nuk pranon të flasë pa avokatin e Ramës!

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje ditën e djeshme dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Sokol Sanxhaktari. Sipas burimeve, dhëndri i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, është marrë në pyetje nga prokurori që po heton ngjarjen e ndodhur në Elbasan më 18 shtator, ku makina e nëndrejtorit të Policisë së këtij Qarku u godit me një makinë të blinduar. Siç bëhet e ditur, Sanxhaktari nuk ka pranuar të flasë, pasi ka kërkuar më parë që i pranishëm të jetë edhe avokati i tij, Eno Bushi, i cili njëkohësisht është edhe avokati i Ramës.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje bandën që sulmoi policinë. Avokati i Ramës, Eno Bushi kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, djalin e biznesmenit Petrit Çela, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti.
Marrja në pyetje e Sanxhaktarit është bërë edhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 6 gusht, nga ku u qëllua me antitank nga një automjet i vjedhur në Durrës mbi një makinë në pronësi të familjes Çapja në Elbasan. Pas kësaj ngjarje, Prokuroria kishte kërkuar që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio Enea Bekteshi, Sokol Sanxhaktari dhe Kelmend Xhaferri. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer përgjigje negative në organin e akuzës, duke mos pranuar të bëjë përgjimet me pretekstin se, “nuk ka punonjës Policia. pasi janë me leje të zakonshme”.
Mbërmjen e të mërkurës u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda 31-vjeçari Enea Bekteshi. Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se kanë qenë gjurmët të gishtave të tij ato që e kanë tradhtuar 31-vjeçarin. Mësohet se këto gjurmë kishin ngelur në mjetin tip “Audi” të blinduar, i cili u përplas me mjetin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut. Gjithashtu edhe qelizat telefonike kanë treguar se 31-vjeçari ka qenë në ato momente pranë Tregut Agroushqimor.
Bekteshi dyshohet se ka qenë drejtuesi i mjetit “Audi” që goditi 3 javë më parë makinën. Ndalimi i 31-vjeçarit Enea Bekteshi u bë në Cërrik në banesën kunatit të tij dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivët e policisë, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar “kanabis sativa” dhe një mjet të mprehtë (bajonetë). Në vijim të veprimeve nga efektivët e policisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleks Pupuleku, 40 vjeç banues në Cërrik.
Veprimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë. Ndaj shtetasit Enea Bekteshi, materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa ndaj shtetasit Aleks Pupuleku materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërkohë Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, në pronësi të të cilit është “Audi” i blinduar, u arratis nga Rinasi me ndihmën e policisë.