Dëshmitarët ndryshojnë dëshmitë për Shullazin

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të përballet në gjyq me Emiljano Shullazin në seancën e radhës javën e ardhshme. Trupa gjykuese kërkoi dje që në seancën e radhës të dëshmojnë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako, Dekani Dhori Kule, Rektori Mynyr Koni dhe ish-kandidatja për dekane, Klodeta Dibra. Ish-ministri Tahiri kërkohet të dëshmojë për rastin e Emiljano Shullazit, për mënyrën sesi i ka mësuar kërcënimet që Shullazi i ka bërë rektorit Mynyr Koni dhe ish-rektorit Dhore Kule gjatë procesit të zgjedhjeve në universitete dhe se ç’masa mori për këtë çështje. Gjithashtu do të dëshmojnë edhe pedagogia Majlinda Keta, rektori Mynyr Koni dhe deputeti Shezai Rrokaj.
Në seancën e djeshme mes 4 dëshmitarëve ishte dhe biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku, të cilit iu vu tritol. Biznesmeni i duraluminit në Lushnjë, ka thënë se nuk e njihte personalisht Shullazin, por se një ditë e kishte marrë në telefon një person dhe i ishte prezantuar si ai. Personi që i kishte thënë se, ishte Emiljano Shullazi i kishte kërkuar takim në Tiranë. “Unë nuk e njoh Emiljano Shullazin. Një ditë të bukur një person më mori në telefon dhe m’u prezantua si Shullazi. Ai më kërkoi të vija ta takoja në Tiranë, por unë nuk pranova. Më pas më është vënë eksploziv tek pronat”, ka deklaruar Adriatik Kërçuku. Por përfaqësuesit e akuzës pretenduan se dëshmia e tij para togave të zeza ndryshonte nga ajo e dhënë para prokurorëve. Kërçuku, sipas organit të akuzës, kishte pranuar më herët se ishte kërcënuar nga Shullazi.
Të njëjtin version ka mbajtur edhe Ismail Dervishaj, magazinier në biznesin ku ndodhi shpërthimi. 62-vjeçari tha se nuk njeh asnjë nga të pandehurit, pavarësisht se ka qenë ai që ka pritur personin e prezantuar si Shullazi. Prokuroria kundërshtoi dëshminë e tyre, pasi në hetimet paraprake ata kanë deklaruar tjetër gjë.

Kallëzimi i biznesmenit la në burg Shullazin

Kallëzimi i biznesmenit nga Lushnja bëri që Gjykatat e Apelit për Krimet e Rënda të vendosë mbajtjen në burg të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit. Kërçuku kishte depozituar një dëshmi në Komisariatin e Lushnjës dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku tregonte se në muajin janar 2016 është telefonuar nga një numër i panjohur, duke i kërkuar takim, por ai i është përgjigjur se s’mund të takoheshin, pasi atë ditë ndodhej në Durrës. Sipas dëshmisë së biznesmenit të aluminit, telefonata e panjohur është kryer pas vizitës që katër djem të panjohur kanë kryer në biznesin e tij në autostradë, afër Lushnjës.
Më tej është zbuluar se bëhej fjalë për Emiljano Shullazin. Në dëshminë e tij biznesmeni Kërçuku, thotë se tek njësia e shërbimit kanë shkuar 4 vetë me një “BMW” të zezë, me targa të identifikuara dhe janë prezantuar tek punëtori i tij Mili Dervishi, duke i kërkuar takim me pronarin.
Ai ka sqaruar se njëri prej tyre i është prezantuar si Emiljano Shullazi. Këtë ia ka rrëfyer punëtori i tij, ndërsa vetë biznesmeni thotë se nuk e ka takuar ndonjëherë Shullazin. Telefonata ku i kërkohej takim i ka ardhur pas kësaj “vizite”. Ai e ka refuzuar dhe pak ditë më pas, më 25 janar të këtij viti një sasi tritoli shpërtheu brenda oborrit të biznesit të tij. Policia është vënë në ndjekje të veprimeve të Shullazit pas denoncimit. Por ditën e shpërthimit ai ka rezultuar se nuk ndodhej në Shqipëri.
Më 23 janar ai ishte larguar në Itali, nëpërmjet Portit të Durrësit. Ai është kthyer 3 ditë pas shpërthimit, më 28 janar 2016, po nga Durrësi. Policia ka ballafaquar edhe punonjësin Mili Dervishi me fotot e Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit, por ai nuk ka mundur t’i identifikojë. Ka thënë se nuk i mbante mend personat që i kishin kërkuar të takonin pronarin e kompanisë ku punonte.