Çi lipset Skënderbeu Edi Ramës?

Fatmir GUDA

Është bërë fakt vendimi i qeverisë për ta shpallur 2018-ën, vitin e Skënderbeut. Madje rrugës ju sajua dhe termi “mbarëkombëtar”, për t’i dhënë nismës atë që kryeministri e ka më shumë kompleks, sesa ndjesi.
Teksa rrekem të gjej motivet që mund ta kenë shtyrë Edi Ramën të bëjë një propozim të tillë, më vjen nëpërmend se pikë reference ndaj Skënderbeut kanë marrë kohë më parë edhe rilindasit shqiptarë. Natyrisht që ata të vërtetët, rilindasit me pushkë dhe me penë për mëmëdhenë, të cilët në fillimshekullin e kaluar pikërisht për të ngjallur ndjenjën kombëtare në veprat e tyre vunë në epiqendër heroin kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Evokimi i figurës së Skënderbeut pas një sundimi 500-vjeçar të otomanëve bëhej për të rritur frymën kombëtare ndër shqiptarë, për t’u pararendur kryengritjeve anë e mbanë trevave shqiptare, që u finalizuan me aktin e pavarësisë më 1912. Pas këtyre vijave le të themi paralele, lind apriori pyetja: Këta “rilindasit” e Edi Ramës në fakt po u referohen metodave të rilindjes kombëtare për rindërgjegjësimin e ndjeshmërisë patriotike apo thjesht politikisht po aplikojnë një taktikë të njohur, sipas të cilës nën strehën e pseudopatriotizmit duhet strukur maskarallëku i ditës?
Të gjithë preçedentët mbi të cilat qeveris Edi Rama të shtyjnë drejt së dytës. Pra, identifikimi sistematikisht i kryeministrit, si përgjegjësi kryesor në vend për gjendjen mizerabël ku gjendet ndjeshmëria e patriotizmit për shkak të mbizotërimit të fenomeneve më negative politiko-socialo-ekonomike, sigurisht që ja rrëzojnë kredencialet Edi Ramës, i cili drejtpërdrejt është edhe anunçuesi i kësaj nisme. Që të ketë një vit kalendarik ku aktivitetet të fokusohen rreth figurës së heroit tonë kombëtar, kjo është padyshim pozitive. Madje edhe sikur ta zgjasnin në kohë, gjatë të katër viteve të mandatit qeverisës së “rilindjes”, absolutisht nuk do ishte gjë e keqe. Sepse në fund të fundit, Skënderbeu me dimensionet përtej kombëtare ka shërbyer në të gjitha kohërat si institucioni kryesor në Shqipëri, pikë reference për cilindo shqiptar, që i është dashur të shpalosë krenarinë kombëtare.
Sikundër çdo tentativë për të abuzuar duke krijuar një patriotizëm të remë apo fasadë prej emrit të Gjergj Kastriotit, nuk do t’i ngjiste kujdo, qoftë ky dhe profilit të parit të qeverisë, i cili gjithsesi, më shumë do të shihej si përfitues prej figurës së heroit kombëtar, sesa si evokues i lavdisë që Skënderbeu përfaqëson.
Ndërsa nisma për shpalljen e vitit 2017 ka marrë trajtën institucionale të një VKM-je, pikëpyetjet e publikut mbi motivet e saj do mbesin qartësisht pa përgjigje, ashtu siç ndërgjegjja kombëtare ka gjasa të mbetet një ndjesi, që s’do të mundet dot të kapërcejë prapambetjen social-ekonomike ku ndodhen shqiptarët, të cilët edhe në optikën ndërkombëtare nuk gëzojnë ato konsiderata që më kot po tentohen t’u vishen me zor. Dmth, njëlloj si fasadat e pallateve, që bojatisen vetëm në pjesë ballore për të kuruar imazhin e shëmtuar të tyre, pa u marrë aspak me problemin që mund të ketë pallati në brendësi të vet, pritet të ndodhë, që të tregohet kujdesi deri në detaj për t’u shkaktuar mjaftueshmërisht zhurrmë, aq sa dhe do mund të arrihet deri aty, sa me doza njëtrajtësisht të barabarta, të glorifikohet njëlloj prijësi legjendar Gjergj Kastrioti me liderin “global” Edi Rama. Kësaj këmbane ka nisur t’i bjerë vetëm disa muaj më parë deputetja e “rilindjes” Elisa Spiropali, e cila pa u menduar dy herë se do merrte riskun e shndërrimit në një person qesharak do ta etiketonte Edi Ramën si Skënderbeun që do ta integronte Shqipërinë në BE.
Megjithatë për t’i vënë kapak vendimit si aspak i konsultuar në mënyrë kolegjiale, i cili mban ekskluzivisht ideimin dhe vulën personale të kryeministrit, është e pamundur të shmaget paqartësia e opinionit mbarë shqiptar, fillim mbarim të këtij eventi: “Edi Ramës për ç’i lipset Skënderbeu”?