Bllokohen 400 kg drogë nga Shqipëria në Greqi

Rreth 133 kg kanabis sativa u kapën nga policia greke në Neraida, afër Igumenicës, në një makinë që drejtohej nga një shqiptar. Operacioni u nis në bazë të informacioneve mbi një mjet që po lëvizte me drogën në territorin grek dhe gjatë kontrollit, 36-vjeçari shqiptar nuk iu përgjigj thirrjes së efektivëve për të ndaluar, raportojnë mediat helene.
Kjo e rriti më shumë dyshimin dhe efektivët u vunë në ndjekje të makinës, në bagazhin e të cilës u gjet edhe sasia e drogës. Drejtuesi i saj përfundoi në pranga dhe do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve nga Gjykata e Igumenicës.
Po ashtu, policia greke ka goditur një bandë të trafikut të drogës nga Shqipëria dhe ka sekuestruar 370 kg marijuanë. Operacioni është zhvilluar në zona të ndryshme dhe janë arrestuar dy shetas grekë të moshës 26 dhe 55 vjeç dhe një shqiptar 46 vjeç. Në një furgon në Nea Erithrea, Athinë, janë gjetur dhe sekuestruar 370 kg marijuanë.
Operacioni vijoi në Rodho, Ko dhe në dy lagje të tjera të Athines, ku u arrestuan pjesëtarë të grupit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan dhe 97.5 gram vaj hashashi, 0.3 gram kokainë, 191 mijë e 545 euro, 1400 dollarë, 1 furgon, 1 taxi, 1 automjet, 1 motor, 1 pistolete, 5 fishekë, 3 peshore dhe 2 celularë.
Operacioni vijoi mbrëmjen e të mërkurës në doganën e Kakavijës ku një pjesetar i bandës, shqiptari 46 vjeçar u kap në tentativë për t’u arratisur në Shqipëri. Fitimet e grupit llogariten në mbi 700 mijë euro.