Betonizohet Gryka e Këlcyrës për të çuar ujin tek fabrika

Në vendin më piktoresk të Grykës së Këlcyrës, atje ku rrjedhja e Vjosës bëhet fantastike, prej disa ditësh po hidhet beton. Megjithëse Bashkia e Këlcyrës pohon që nuk ka dhënë leje pronari i fabrikës që prodhon ujin Trebeshina, vazhdon punimet duke ndërtuar një kullë betoni që mbledh ujërat e ujëvarës dhe një urë që kalon mbi Vjosë për të çuar ujin në fabrikë.
Organet e rendit kanë mbetur të paralizuara, pasi siç thuhet në zonë, për këtë ndërtim, janë futur në sherr drejtuesit socialistë të pushtetit lokal me pronarin e firmës ndërtuese që pohon se ka marrë lejen nga kryeministri për këtë investim. Dhe situata është aq absurde sa askush nuk ndërhyn, ndërkohë që betoni shkatërron rrjedhën e Vjosës.
Ndërkohë, fshati Mursi në Sarandë, prej disa ditësh është në protestë për mbrojtjen e shkollës 9-vjeçare, e cila daton prej 176 vjetësh. Shkak u bë një njoftim që kjo shkollë, e cila është në territorin e Bashkisë Konispol do të mbyllet. Banorët kërkojnë ta ndalojnë këtë akt si e vetmja mundësi për të parandaluar analfabetizmin ne fshat. Komuniteti i Mursisë, fajëson bashkinë Konipol se favorizon ndërtimin e një shkolle në një fshat tjetër dhe mbylljen qëllimisht të shkollës së Mursisë. Por Kryetari i bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri u tha atyre se do ndikojë që shkolla të mos mbyllet. Ky fshat ngelet ndër më të populluarit në jug të Shqipërisë e favorizuar kjo nga industria e agrumeve dhe bujqësisë.