Berisha: FMN të mos largohet, thasët me narko-euro në ekonomi

Ish-Kryeministri Berisha ka kritikuar ashpër dje vendimin skandaloz të Ramës për të larguar nga vendi misionin e FMN, ndërsa ka kërkuar nga opozita marrjen e masave konkrete në Parlament për të mos lejuar këtë akt aventuresk të Ramës. “FMN nuk duhet të largohet, opozita shpresoj të marrë masa të forta në këtë drejtim dhe Parlamenti duhet të ketë një të drejtë të flasë, sepse është ai që ka miratuar marrëveshjen dhe është Parlamenti që duhet të flasë, nëse FMN duhet apo nuk duhet të qëndrojë”, u shpreh Berisha në një prononcim për “AbcNews”.
Ish-Kryeministri shprehu shqetësimin për rritjen e shpejtë të borxhit publik, ndërsa paralajmëroi se bashkë me koncesionet që Rama parashikon niveli i tij do të arrijë deri në 85%.
“Unë gjykoj se largimi i FMN pa një marrëveshje dhe pa një vendim Parlamenti është një akt aventuresk i Edi Ramës, që, të jemi realistë, nuk ka haber nga ekonomia, por dhe atij ekipi që është po aq i dobët sa ai vetë.
FMN për mendimin tim ishte dhe është i domosdoshëm, sepse ekonomia shqiptare ka sot si shpatë demokleu borxhin publik. Edi Rama, në një akt absurd rriti borxhin nga 62.4% në 76%. Dhe e vërteta është që, me operacionet e tij, me nismat e tij të dy viteve të fundit borxhi sipas FMN me chekun 1 miliard rritet edhe 7 pikë më shumë, pra arrin në 80%. Por e vërteta është që do të shtohen këtu edhe borxhi i koncesioneve dhe në mënyrë absolute borxhi shkon në 83-85%”, tha ish-Kryeministri.
Ish-Kryeministri iu referuar pikërisht shqetësimit të ngritur nga FMN për projektin 1 miliard euro koncensione, të cilat do të krijojnë një gropë të thellë në ekonomi për shkak të rritjes së borxhit.
“Cilido që ka nocionet më elementare të ekonomisë. Le të marrë të lexojë standardin ndërkombëtar të borxhit dhe detyrimit sipas IBSA 32. IBSA 32 është standardi ndërkombëtar i llogarive të qeverisë. E qartë e pa asnjë ekuivok, që çdo garanci qeveritare është borxh dhe vetëm borxh, dhe se partneritetet publike private përdoren nga ato qeveri, të cilat kanë rritur në qiell borxhin dhe tani, për të mashtruar qytetarët, gjejnë një formë tjetër të tipit ‘merr borxh se t’i garantoj unë’.
Kaq duhet që e tërë ajo sasi borxhi të jetë borxh i qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe Fondi e saktësoi këtë problem, që vetëm 1 miliardëshi që presupozon me partneritet publik privat, rrit borxhin me 7 pikë. Por, po sipas këtyre standardeve, po kaq e rrisin edhe koncesionet nëse koncesionari është i detyruar të paguajë në vite sasi të caktuar atij që i ka dhënë koncesionin, pra qeveria. Kështu që po të llogarisim këto të dyja borxhi shkon 85%”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se ekonomia është në ditët më të zeza të saj ku paratë e narko-trafikut po shkatërrojnë bizneset dhe gjithë ekonominë e vendit gjithashtu.
“Një borxh 85% është një gur shumë i rëndë në qafën e ekonomisë shqiptare. Edi Rama verbërish mendon se mund të zëvendësojë kreditë e FMN me paratë e kanabisit. Krejtësish e kundërta ndodh. Kreditë e FMN jepen dhe shfrytëzohen mbi bazën e një kontrolli ligjor rigoroz, të cilat jo vetëm që nuk dëmtojnë ekonominë, por përkundrazi nxisin rritjen.
Kurse paratë e kanabisit janë para që vrasin çdo minutë, çdo orë e çdo ditë konkurrencën në tregun e lirë në këtë vend.
Kjo pra, nënkupton një shkatërrim të bizneseve të ndershme, shkatërrim të krahut solid të ekonomisë që mbahet me pagesat e taksave e me rregulla, sepse tani hynë thasët e narko-eurove dhe narko-lekëve dhe ata janë në gjendje të falimentojnë çdo biznes që i vënë vetes qëllim”, paralajmëroi Berisha.

Paratë e drogës po ndikojnë çmimet e ndërtimit

I pyetur në lidhje me deklaratat e Ramës për rritje ekonomike 4%, Berisha tha se kjo shifër është produkt i pasionit të Ramës për krijimin e realiteteve që nuk ekzistojnë. “Edi Rama karakterizohet më shumë se kushdo tjetër të krijojë realitete që nuk ekzistojnë. Ai e ka këtë, e ka jo dhunti, por si të thuash pasionin më të çmendur të tij. Asgjë s’di ai se ç’është rritja ekonomike. Ai beson dhe ka dëgjuar që do të hyjnë paratë e drogës dhe faktikish ato kanë filluar të hyjnë dhe po kërcejnë çmimet e ndërtimit, çka do të thotë disa qindra milionë euro më shumë në xhepat e ndërtuesve, por dhe një fatkeqësi shumë e madhe tek ata që duan të strehohen dhe që nuk përballojnë dot çmimet e reja. Një tregues tronditës doli këtë vit. Shqipëria ishte vendi i katërt në botë sipas OXFAM për thellimin e llahtarshëm të pabarazisë në shoqërinë shqiptare. Droga do ta çojë këtë në stratosferë. Faktikisht do ta bëj këtë vend të pajetueshëm po të vazhdohet në këtë mënyrë”, theksoi Berisha.

Intervistoi: Merita HAKLAJ