Barometri i Ballkanit, Shqipëria e vetmja pa përmirësim, besimi tek bizneset më i ulëti në rajon

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar Barometrin e Ballkanit 2017, ku ka matur besimin e opinionit publik dhe të biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Serbi, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi dhe Kroaci. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe sondazhet me bizneset dhe opinionin janë realizuar nga GFK. Për Shqipërinë, ndërsa besimi i opinionit publik është pak mbi mesataren e rajonit, rezultatet janë shumë negative për biznesin, ku besimi është më i ulëti në rajon, shumë nën mesataren, sidomos për sa i përket indeksit të situatës aktuale. Goran Svilanovic, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shkruan në parathënien e botimit se aftësia për të vëzhguar evolucionin e tendencave ekonomiko-sociale nëpër vite përfaqëson një mundësi të lartë për të hartuar politika të bazuara në fakte dhe për të vëzhguar efektet në rajon dhe ekonomitë individuale. “Barometri i këtij viti ka lajme të ndryshme; ndërsa ka evidenca të mëtejshme të një rimëkëmbjeje ekonomike mes ekonomive më të mëdha, papunësia mbetet shqetësimi kryesor. Në mënyrë shqetësuese barometri nënvizon shqetësimin në rritje për korrupsionin; në vitin 2015, 15% e cilësuan korrupsionin si shqetësimin kryesor. Kjo shifër u rrit në 27% në 2016-n dhe tashmë ka arritur në 32%”, shkruan Svilanovic. Ai shton se “sipërmarrësit vijojnë të përballen me atë që e quajnë një sistem kompleks taksimi dhe një mjedis jo miqësor biznesi, me një sistem ligjor të paparashikueshëm. Ashtu si në vitet e kaluara, të dyja grupet e të anketuarve shprehin më shumë besim në vetvete sesa në ekonomitë e tyre”. Raporti thekson se duke parë tendencën nga 2014 në 2016, pritshmëritë janë përmirësuar vit pas viti në rajon, por përjashtim këtu përbën vetëm Shqipëria, që nuk ka parë përmirësim. Indeksi është tashmë mbi 50% kudo, përveçse në Bosnjë Hercegovinë dhe ka shënuar rritje të ndjeshme në ekonomi që më parë nuk rezultonin me ecuri të mirë, si p.sh. Serbia. Në barometrin e vitit 2017, pikëzimi aktual i Indeksit të Besimit Publik të Ballkanit (që mat mesataren mes situatës aktuale dhe pritshmërive) ishte 41, ku niveli më i lartë i besimit është në Kosovë (56) e ndjekur nga Mali i Zi (49), Maqedonia (45), Shqipëria (43), Kroacia (42), Serbia (39) dhe e fundit është Bosnja, me 34 pikë. Për Shqipërinë, Indeksi i Situatës Aktuale është 37 (e katërta pas Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë), ndërsa Indeksi i Pritshmërive rritet në 52 (e pesta pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë). Pyetjes se sa i kënaqur jeni me mënyrën si po shkojnë gjërat në vendin tuaj, për Shqipërinë, 59% janë përgjigjur “jam tërësisht i pakënaqur”, ose “kryesisht i pakënaqur”, ndërsa 22% kanë pohuar se janë kryesisht të kënaqur. Më të pakënaqurit në Ballkan janë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, me 71%. Shqiptarët renditen nga fundi edhe kur pyeten se sa të kënaqur janë me situatën e tyre financiare, ku sërish 53% thonë se janë të pakënaqur (tërësisht ose kryesisht), përqindja më e lartë nga gjithë Ballkani. Edhe në lidhje me situatën ekonomike, sërish ka një nivel të lartë pakënaqësie, me 67% të të anketuarve që janë të pakënaqur (kryesisht ose tërësisht), duke lënë pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Shtetasit më të kënaqur me ekonominë e tyre janë malazezët. Problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët janë papunësia (59%), situata ekonomike (47%) dhe korrupsioni (38%).

Biznesi, sa pesimist

Ndërsa besimi i publikut është pak mbi mesataren e rajonit, ndryshe është situata për bizneset. Në indeksin tjetër të besimit të biznesit, të publikuar po nga RCC, në total Shqipëria është vlerësuar me 56 pikë, më e ulëta së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi (nga 62 që është mesatarja rajonale). Edhe ky indeks përbëhet nga situata aktuale dhe pritshmëritë. Sa i takon vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria ka 49 pikë, më e ulëta në rajon, nga 57 pikë që është mesatarja rajonale. 40% e bizneseve të anketuar mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, përqindja më e lartë pas Bosnjës (45%). Vetëm 27% presin që numri i të punësuarve në kompanitë e tyre të rritet gjatë 12 muajve në vijim, sërish më i ulëti në rajon. 31% e bizneseve shqiptare u përgjigjën se situata e tyre është përkeqësuar 12 muajt e fundit (nga 17% që është mesatarja rajonale)) dhe 33% thanë që është përmirësuar (40% mesatarja rajonale).
Monitor