Barcelona në protestë për unitetin

Mijëra njerëz u bashkuan në një tubim në Barcelonë të dielën për të protestuar kundër shtytjes së qeverisë katalanase për shkëputje nga Spanja. Anketat kanë sugjeruar se më shumë katalanas favorizojnë të rrinë të bashkuar me Spanjën sesa të shpallin pavarësinë.
Tubimi vjen një javë pas një referendumi në të cilin katalanasit votuan me shumicë dërrmuese për pavarësinë. Në atë sondazh, që konsiderohej i jashtëligjshëm nga Madridi, 90 për qind votuan për t’u shkëputur nga Spanja, por pjesëmarrja ishte shumë më pak se gjysma e elektoratit.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Urquinaona” të Barcelonës, duke kënduar “Viva Espana”.
Presidenti katalanas Carles Puigdemont është zotuar të punojë për arritjen e pavarësisë.
Në një intervistë me gazetën “El Pais”, kryeministri Mariano Rajoy tha se, nuk do të përjashtojë përdorimin e kompetencave kushtetuese për të hequr statusin autonom të Katalonjës në qoftë se rajoni deklaron pavarësinë.
“Të jeni të sigurt se qeveria do të parandalojë që çdo deklaratë e pavarësisë të kthehet në diçka konkrete. Spanja do të vazhdojë të jetë Spanja dhe do të vazhdojë të jetë e njëjta për një kohë të gjatë”.
Kryeministri Rajoy i tha gazetës “El Pais” se politika katalanase ishte rrëmbyer nga radikalët dhe duhej të kthehej në një pozitë të moderuar.
“Tani ata i janë futur një rruge që nuk të çon askund, ata kanë zgjedhur radikalizmin që pengon çdokënd për të patur ndikim dhe pengon ndërtimin e diçkaje që ndihmon bindjet e tuaja. Radikalizmi ka çuar në këtë proces ndarës që po ndodh tani, ka shkaktuar shqetësim të madh tek të gjithë, madje edhe largimin e kompanive. Është vërtet e pabesueshme sa shumë kompani të rëndësishme po braktisin Katalonjan, që largohen sepse duhet të largohen, të mbrojnë bilancin e tyre, punëtorët e tyre dhe pagat e tyre. Duhet të kthehet katalanizmi i moderuar”, shtoi Rajoy.
Më parë të shtunën, mijëra protestues u mblodhën në mitingje në Barcelonë, Madrid dhe në qytete të tjera spanjolle.
Organizatorët e mitingut pro-ndarjes në Katalonja i kishin kërkuar demonstruesve të visheshin me të bardha dhe të mos shfaqnin ndonjë flamur, qoftë spanjoll ose të Katalonjas. Organizatorët e demonstratave kanë promovuar sloganin, “Le të flasim”.
Po ashtu në Madrid, kryeqytetin spanjoll, u mbajt një demonstratë për unitetin spanjoll, ku morën pjesë mijëra njerëz që valëvitnin flamuj kuq dhe verdhë të Spanjës.
Disa shtete të BE-së janë të shqetësuar se, biseda për pavarësinë katalanase mund të ushqejë ndjenjat ndarëse në pjesë të tjera të Evropës.

Shumica që hesht
Shumë vetë janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë, nëse Presidenti Puigdemont të martën e ardhshme shpall pavarësinë. A do të aktivizojë Spanja nenin 155 dhe do t’i heqë autonominë Katalonjës? Si do të reagojnë përkrahësit e separatistëve? Do të ketë dhunë? Të gjitha këto janë shqetësimet e pjesës tjetër të katalonasve, krahas separatistëve. Një grua e zemëruar shprehet se ne jemi “shumica që hesht. Jemi ata 60% që nuk shkuan në referendum”. “Politikanët duhet të bëjnë punën e tyre, e të vendosin për ne popullin, e jo për qëllimet e tyre politike”, thotë protestuesja e zemëruar.
Politologu Oriol Bartomeu nga Universiteti i Pavarur i Barcelonës thotë se “shumica e katalanëve duan të qëndrojnë në Spanjë, nëse pozicioni autonom i vendit forcohet”. Problematike sipas politologut është se, Madridi nuk do të lëvizë asnjë centimër, sepse “pala spanjolle ka ndjesinë se fiton, pse duhet të lëvizë ajo? Ajo mendon, ose ju dorëzoheni komplet, ose deklaroni njëanshëm pavarësinë”? Por sipas Bartomeut, kjo do të ishte me rrezik për qeverinë e Katalonjës, sepse nuk ka shumicë për këtë gjë. Si pasojë, qeveria e Spanjës do të aktivizonte nenin 155. E pas kësaj? Politologu Oriol Bartomeu thotë se “kjo do të ishte katastrofa e panjohur”.