Banka konfirmon krizën e bizneseve të vogla

Në gjysmën e parë të këtij viti, ecuria e shitjeve ka vijuar rritjen për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, ndërsa ka shënuar rënie për bizneset e vogla, – raportoi Banka e Shqipërisë në një vrojtim rutinë me qëllim verifikimin e gjendjes financiare të bizneseve.
Rënia e shitjeve në bizneset e vogla është vënë në trend vitet e fundit, për shkak të përqendrimit të tregtisë me pakicë në qendrat tregtare dhe në supermarkete.
Në gjashtëmujorin e parë 2017, thuajse gjysma e totalit të ndërmarrjeve të marra në anketim kanë financuar veprimtarinë e tyre përmes shitjeve. Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar është përdorur nga 29.9% e ndërmarrjeve të mëdha, 25.8% e ndërmarrjeve të mesme dhe 22.9% e ndërmarrjeve të vogla.
Në vrojtim, u përfshi një kampion i zgjeruar prej rreth 1,238 ndërmarrjesh të të gjitha përmasave, të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë. Në fillim të vitit, ky kampion është rifreskuar për 10% të tij.
Rreth 40% e totalit të ndërmarrjeve (438 ndërmarrje gjithsej) pohojnë që kanë një hua për të paguar. Kjo peshë ka rënë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2016, e ardhur nga të tre grupet e ndërmarrjeve, por disi më e theksuar te ndërmarrjet e mesme.
Rreth 89.3% e totalit të ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se u janë drejtuar bankave për të siguruar hua. Kjo peshë arrin në 92.1% për totalin e burimeve formale (banka dhe institucione financiare jobanka).
Burimet informale kanë zënë 7.9% të totalit të huamarrjes, ku peshë më të madhe ka huamarrja nga persona fizikë (2.8%). Vrojtimi i BSH tregoi se qëllimet kryesore të huamarrjes janë përballimi i shpenzimeve korrente dhe kryerja e investimeve afatgjata. Krahasuar me vrojtimin e kaluar, rezulton se pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua për të kryer investime afatgjata, është rritur në rastin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, ndërkohë që ka rënë lehtësisht për ndërmarrjet e vogla.
Rreth 78% e ndërmarrjeve huamarrëse të vogla, 78.6% e atyre të mesme dhe 77.3% e atyre të mëdha, e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes për financimin e veprimtarisë. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2016, kjo peshë rezulton në rritje për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha, por në rënie për ndërmarrjet e mesme.