Argjentina rrezikon

Botërori 2018 rrezikon të humbasë një nga emrat më të mëdhenj të futbollit, Lionel Messin. “Mallkimi” i 5 herë fituesit të Topit të Artë me kombëtaren e Argjentinës vazhdon, pasi skuadra “Albiceleste” rrezikon të prekë fundin sepse tashmë skenari që e shikon jashtë Kupës së Botës është shumë pranë. Barazimi 0-0 në “Bombonera” kundër Perusë në 90 minutëshin më vendimtar të eliminatoreve të Amerikës së Jugut e rrezikon seriozisht skuadrën e Jorge Sampaolit që e shikon veten në vendin e gjashtë me 25 pikë, po aq sa Peruja e vendit të pestë që aktualisht mban pozicionin e zonës play off. Një natë dramatike në Buenos Aires ku skuadrës së Sampaolit nuk i bëri punë as mbështetja e stadiumit mitik të Boca Juniors.
Messi dhe skuadra e Argjentinës zhvilluan një pjesë të dytë pothuajse perfekte ku mungoi vetëm goli, ndërsa në pjesën e parë frika e pësimit të golit i rëndoi këmbët e skuadrës bardhekaltër në një ndeshje ku portieri Gallese priti gjithçka mundi për të ruajtur të paprekur portën e tij, ndërsa shtylla i mohoi kënaqësinë e golit Lionel Messit që vazhdon të vuajë me Argjentinën, duke reflektuar një sindromë të vjetër sepse kombëtarja duket se transformon numrin 10, i cili nuk arrin të bëhet lider i vërtetë në këtë skuadër. Gjithsesi, në mbrëmjen e errët të Argjentinës vjen edhe një sinjal shprese pas suksesit të pabesueshëm të Paraguajit 2-1 në Kolumbi.
Në këtë mënyrë, të martën në Quito të Ekuadorit, Argjentinës do t’i mjaftonte një fitore për të siguruar biletën e kualifikimit direkt në Rusi 2018 ose në rastin më të keq për të arritur zonën play off që jep mundësinë e dy përballjeve direkte me Zelandën e Re. Në përballjet e tjera, Brazili u ndal nga një barazim pa gola në Bolivi, ndërsa Uruguaji regjistroi të njëjtin rezultat në transfertën venezueliane. Kili kaloi 2-1 Ekuadorin, por duhet minimalisht të marrë pikë në ndeshjen e fundit në Brazil për të mos rrezikuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Sidoqoftë përtej situatës aspak të këndshme ai që kujdeset për t’i dhënë skuadrës kurajo dhe frymë optimiste është tekniku Jorge Sampaoli, i cili beson se në ndeshjen e fundit, atë ndaj Ekuadorit ekipi do të arrijë të fitojë. “Na mungoi goli. Sidoqoftë jam besimplotë që do t’ia dalim të fitojmë përballë Ekuadorit. Nëse do ta luajmë ndeshjen e fundit ashtu siç dimë ne, atëherë do të jetë dhe Argjentina pjesë e botërori. Sigurisht që situata nuk është e qetë, por kualifikimi varet vetëm nga ne, duhet të japim më të mirën tonë. Në skuadër ka një frymë optimiste. Jam i bindur se do t’ia dalim”, u shpreh Sampaoli.
Argjentina do të luajë takimin e fundit ndaj Ekuadorit më datë 11 tetor. Shansi i fundit për Albicelestët ku fitorja është i vetmi rezultat që do t’i garantonte një biletë për në botëror.
Arlind RAMA