70 vjet nga dënimi i grupit të parë të deputetëve, vdekja nga torturat e Baba Myrteza Pajës

Nga Kastriot Dervishi

Me mbarimin e proceseve ndaj teknikëve intelektualë në proceset “sabotuese” në Maliq në nëntor 1946, gjatë viteve 1947-1948 vëmendja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u drejtua mbi inteligjencien e vendit, pothuaj të gjithë me qëndrime properëndimore e proamerikane.
Goditja më barbare ndaj inteligjencies së vendit është paraqitur nëpërmjet proceseve në kuadër të goditjes së anëtarëve të “organizatës terroriste agjente sabotatore të deputetëve tradhtarë tekniko-intelektualë e demokristianë”. Të kësaj kohe, janë katër grupe kryesore të goditura, dy prej të cilëve kanë ish-deputetë të dënuar dhe ekzekutuar, si dhe disa proceseve të vogla, të cilat nuk kanë peshën e këtyre të përmendura.
Janë disa persona të vdekur në hetuesi nga torturat e rënda të zhvilluara nga oficerët e Sigurimit. Nga studimi tërësor i dokumenteve rezulton se në qendër të goditjeve janë intelektualët të ndarë kështu:
-“Sabotatorët” e linjës proamerikane, kryesisht teknikë dhe inxhinierë, por edhe intelektualë të tjerë.
-Deputetë që kishin mendim ndryshe, pavarësisht se nuk e shprehën asnjëherë tërësisht atë.
-Të implikuar në ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë.
-Persona të njohur nga Enver Hoxha që dinin të kaluarën e jetës së tij.
-Të njohur, lidhje shoqërore e miqësore të personave të mësipërm.
Akuzat e formuara në drejtim të tyre ishin për:
-Sabotim ekonomik.
-Organizim atentatesh ndaj Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.
-Formim partish.
-Nxitje të ndërhyrjes së huaj anglo-amerikane.
Personat e arrestuar janë mbajtur në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë si: shtëpia e Serreqit (në të djathtë të Sheshit “Avni Rustemi”), “Shtëpia me gjethe”, te “Selvia”, te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-katëshet) si dhe dy burgjet e Tiranës. Janë përdorur torturat nga më çnjerëzore dhe në përfundim u arrit të manipulohen edhe proceset hetimore-gjyqësore.
Të gjitha vendimet gjyqësore sipas dëshmisë së Koçi Xoxes janë marrë nga Byroja Politike e Partisë Komuniste, por dokumentacioni vërtetues nuk është trashëguar në ditët tona.
Baba Myrteza Paja (në foto) nga Kruja u arrestua në maj 1947 në bazë të listave të përgatitura nga komisioni i posaçëm i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, por edhe si person me dijeni për ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë. Babai ishte një prej klerikëve më të njohur e më të nderuar në Shqipëri. Ishte shumë i afërt me Mbretin Zog, si dhe njihej për lidhjet miqësore me legatën amerikane në Tiranë. Mbreti Zog i besoi një prej të fshehtave më të mëdha të jetës.
Babai u torturua në shtëpinë e Serreqit për 48 orë. U përdor tortura me thikë (prerje e ndadaltë e mishit), aq sa trupi i tij nuk duroi dot dhe mbaroi pas 48 orësh. Për të plotësuar “procedurat”, trupi u hodh më 24.5.1947 nga kati i dytë i godinës dhe u tha se “donte të arratisej”.
(Në ditët e ardhshme do lexoni pjesë të përzgjedhura në lidhje me “grupet” e dënuara si dhe dëshmi domethënëse rreth manipulimit të proceseve)

Ekzekutimi i gjashtëmbëdhjetë deputetëve të opozitës

Nuk ishte e lehtë të bëje opozitë edhe në vitet kur regjimi komunist në Shqipëri ishte ende i pakonsoliduar. Në fakt, për dy vjet me radhë, nga krerët e Partisë Komuniste u punua që menjëherë pas lufte, vetëm grupimi i tyre politik të dilte në skenë. Në këtë mënyrë, që nga “Mukja” filloi puna për eliminimin e eksponentëve të organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar apo Legaliteti. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fatin e keq në Shqipëri e pati edhe “Grupi i deputetëve”, opozita e së cilës lindi me shumë bujë dhe që pati një jehonë të jashtëzakonshme, për vetë faktin se mori përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe.
Ky edicion “dossier” ka të bëjë me zbardhimin e fakteve rreth dosjes gjyqësore, të “Grupit të deputetëve”, të cilët u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq, i cili u zhvillua në kinemanë “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data katër shtator e vitit 1947 e deri në datën 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ka qenë pikërisht koha kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në Parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave.

Eliminimet e kundrështarëve politikë

Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në një prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit në datën 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46” jepen këto porosi:
“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”.
Vetëm dy ditë më pas, urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet:
“Lirisë, shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Në qoftë se Ganiu ashtë dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt, se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. Enver”.
Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga ketë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.

Ekzekutimet ndaj deputetëve me shkolla në Perëndim

Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë te Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Duke konstatuar se Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë, etj, si: Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputetëve me pikëpamje liberale. Por padyshim që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve.

Organizimi

Grupi i deputetëve doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në Parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.