Xhafa: Mbjellje masive droge më 2016, policia e implikuar

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa pranon se në vitin 2016 pati mbjellje masive të kanabisit në të gjithë territorin e vendit. Në një intervistë në “Ora News”, Xhafa deklaroi se, mbjellja masive e kanabisit vitin e kaluar ka ardhur nga implikimi i policisë deri në nivel drejtuesish në këtë trafik. Ai tha më tej se, edhe kërkesa ka qenë mjaft e lartë në vendet e BE.
“Më 2016 pati një fenomen masiv të kultivimit të kanabisit dhe është rezultat i disa arsyeve. Së pari, u quajt e kapërcyer me goditjen në Lazarat dhe Dukagjin, strukturat u gjetën të papërgatitura. U rrit oferta në tregun europian të kanabisit dhe ajo që do ta konsideroja të dëmshëm është se një pjesë e policisë u implikua. Kjo bëri që edhe policia mos të kishte forcën e duhur për të reaguar. Ishte nje realitet që u pa me shumë përgjegjshmëri nga qeveria.
Kjo ishte arsyeja që qeveria përgatiti një plan të posaçëm kundër kanabisit. Duke mos e konsideruar si një çështje që i përket vetëm Policisë së Shtetit. Përcaktoi një sërë masash që do ta shihnin nga një këndvështrim tjetër dhe një nga gjërat e domosdoshme ishte për të bërë një ndarje mes fermerëve dhe grupeve kriminale”, u shpreh Xhafa.
Ministri Xhafa pranoi se edhe këtë vit ka patur kultivim të kanabisit, por ka qenë nën nivelin mesatar. “Mbjelljet janë nën mesataren e kultivimit të kanabisit nga 1995 deri sot. Janë 32 300 bimë kanabis të identifikuara. Është shifra më e ulët në këto vite. Janë 228 raste të evidentuara që po ndiqen. Në pjesën më të madhe janë arrestuar kultivuesit. Ndërsa trafiku është histori tjetër. Te kultivimi rastet janë pozitive”.

Prokuroria: Shefat e Policisë mbjellin vetë kanabis

Deputeti i PD, Flamur Noka deklaroi dje se, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar atë që opozita ka denoncuar më parë, që mbjellja dhe trafiku i drogës është bërë me bekimin e policisë. Noka tha se, vettingu në radhët e Policisë së Shtetit është shou i radhës i ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit. Duke folur për mediat përpara Kryesisë së Kuvendit, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Noka tha se, tashmë u konfirmua edhe nga Prokuroria akuzat e opozitës për përfshirje të policisë në këtë çështje. Sipas tij, kultivimi i drogës është i mbështetur nga politika dhe për këtë arsye vettingu duhet të fillojë me kryeministrin Edi Rama, për të cilin shprehet se e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi të Europës.
“Këtë e kanë konfirmuar pikë për pikë sipas një medieje investigative. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar që mbjellja dhe trafikimi i drogës është bërë me bekim politik dhe bashkëpunim të forcave policore. Është shtrirë në gjithë kupolën e policisë, ndaj dhe ky vetting është show i radhës. Sepse duhet të vazhdojë me Edi Ramën që është kthyer në Kolumbi të Europës”, tha deputeti i PD.
Noka i referohet një shkrimi të “BIRN”, ku citohet një prokuror që thotë se vettingu i Policisë së Shtetit është i domosdoshëm. Prokurori, i cili ka mbi tavolinën e punës hetimin e dy punonjësve të policisë që dyshohet se janë implikuar në kultivimin e kanabisit, në kushtet e anonimatit tha se vettingu i Policisë së Shtetit është i domosdoshëm. “Sot kemi shefa komisariatesh dhe specialistë sektorësh në polici që janë vënë në shërbim të krimit, duke i dhënë garanci se nuk do të preken fizikisht, por dhe s’do i dëmtohen parcelat me drogë. Në disa raste është dokumentuar se këta shefa në Vlorë dhe Tepelenë janë vetë kultivues të drogës, pasi nëpërmjet detyrës së tyre, investojnë njerëz që të mbjellin sipërfaqe droge, për llogari e qëllimet e veta”, tha prokurori i Krimeve të Rënda.

R.POLISI