Vrasja e gjyqtares, Apeli le në qeli Fadil Kasemin

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Fadil Kasemin, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, Fildez Hafizi. Në sallën e gjyqit, ai kërkoi të mos i cënohet nderi i familjes dhe i gruas, që siç tha, e donte akoma. “Ju kërkoj avokatëve dhe kujtdo tjetër të mos merren me familjen time dhe nderin e gruas time. Unë vazhdoj ta dua akoma”. Ky ka qenë deklarimi i vetëm i shqiptuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda nga Fadil Kasemi. 53-vjeçari i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, gjyqtares Fildez Hafizi, doli para një Kolegji Penal të Apelit mëngjesin e së mërkurës. Përmes avokatit, ai kërkoi lirim nga qelitë e paraburgimit.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura mbrojtësi i Kasemit ka këmbëngulur në problemet mendore të klientit të tij. Avokati ka kërkuar zbutje të masës së sigurimit, ose në caktimin e një mase shtërnguese me afat 30 ditor. Gjatë kësaj kohe, janë shprehur avokatët, do ju vërtetojmë se i mbrojturi prej nesh ka probleme të shëndetit mendor.
Kërkesa e mbrojtjes është kundështuar nga ana e përfaqësuesit të akuzës në sallën e gjyqit. Ai kërkoi rrëzimin e kërkesës për lirim, me pretendimin se për të dyshuarin Kasemi nuk ka ndryshuar asnjë kusht ligjor, që do të ndikonte në zbutjen e masës së sigurimit. Duke iu referuar rrezikshmërisë shoqërore të 53-vjeçarit dhe veprës penale të kryer prej tij, si edhe parashikimit të dënimit të saj me burgim të përjetshëm, prokurori kërkoi lënien e tij në paraburgim. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Kolegji Penal vendosi të mos lërë të pandryshuar masën “arrest në burg” për Kasemin.
Gjyqtarja Fildez Hafizi u vra me armë zjarri në automjetin e saj në 31 gusht të këtij viti, pak çaste pasi kishte dalë nga një parukeri në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet. Pas zgjidhjes së martesës me ish-bashkëshortin Kasemi në vitin 2015, gjyqtarja ishte kërcënuar disa herë prej tij.