Vrasja e Çiços, shpallet i pafajshëm efektivi Trimi

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm ditën e djeshme ish-efektivin e policisë Alban Trimi, i cili u akuzua për pengim të zbardhjes së të vërtetës në vrasjen e Elton Çiços 5 majin e vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, ish-efektivi Trimi, që ishte prezent në momentin e ekzekutimit të Çiços, i ka marrë pistoletën viktimës për ta fshehur.
Por gjatë gjykimit, Trimi e ka mohuar këtë akuzë, ndërsa pamjet filmike të marra nga kamerat e lokalit ku ndodhi ngjarja edhe pas ekspertimit nga policia shkencore nuk tregojnë asgjë konkrete në lidhje me akuzën e ngritur ndaj Alban Trimit. Në pamjet e sjella si provë nuk dallohet nëse Trimi i merr pistoletën viktimës. Në këto rrethana gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm ish-efektivin e policisë.
Ish-oficeri i policisë akuzohet për pengim të së vërtetës dhe prishje të provave në vendin e ngjarjes. Alban Trimi u arrestua më 4 maj të vitit 2016 dhe u lirua në korrik të atij viti. Ai u arrestua pasi në kamerat e sigurisë së lokalit “De Niro” shihej që pas ekzekutimit të Elton Çiços që ishte me të në një tavolinë, i shoqëruar nga një mjek dhe një gazetar, merr një pistoletë që ai e kishte me vete dhe e largon nga lokali. Nën të njëjtën akuzë u arrestua edhe mjeku Redjan Rraja.