Vendimi i parë i Ramës, nis nga importi i plehrave

Menjëherë pas publikimit të programit të punimeve të Kuvendit për tre javët e para, ku përfshihet dhe rikthimi për diskutim i ligjit të importit të mbetjeve, Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) i ka kërkuar Kryeministrit Rama “të bashkëqeverisë” me 90 për qind të shqiptarëve që janë kundër këtij ligji.
Me anë të një letre, aktivistët e AKIP, të cilët që prej vitit 2013 kanë kundërshtuar e protestuar kundër miratimit të ligjit që do të lejonte importin dhe djegien e plehrave në Shqipëri, shprehin shqetësimin se qeveria Rama gjithnjë e më tepër po nxit industrinë e djegies së plehrave me lejet që ka dhënë për ndërtimin e disa inceneratorëve:
“Përtej thjesht, ligjit të importit të mbetjeve, për të cilin iniciatorët dhe mbështetësit e këtij ligji gënjyen sistematikisht publikun kur thoshin se ligji është vetëm për riciklim dhe jo për djegie, konstatojmë se shumë vendime të vitit të fundit për ndërtim inceneratorësh, në Fier, Tiranë, Durrës, Korçë e gjetkë, jo vetëm që janë një strategji (nëse mund ta quajmë kështu) krejtësisht e gabuar për vendin, por duket po ndërtohen në funksion të veprimit antikombëtar të djegies së mbetjeve të importit.
Nuk mund të mos përmendim se vënia në plan të parë e inceneratorëve shkon në drejtim të kundërt me hierarkinë e prioritetit të menaxhimit të mbetjeve sipas parimeve dhe legjislacionit të BE-së, por edhe atij shqiptar”.
Në fund të letrës, Aleanca kundër Importit të Plehrave ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar qeverisë “një platformë të menaxhimit të mbetjeve, për një Shqipëri të pastër dhe atraktive, por edhe për një kujdesje më të madhe për shëndetin e qytetarëve”.
Ligji i shumëdiskutuar i importit të mbetjeve u risoll në Kuvend në qershor 2016 nga mazhoranca socialiste, megjithëse 3 vjet më parë, kur PS sapo erdhi në pushtet, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave.
Importi i plehrave është kundërshtuar gjerësisht nga qytetarët dhe paraqet rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.
Rikthimi i ligjit për shqyrtim në Kuvend pritet të shoqërohet me protesta të qytetarëve.

Brenda 13 tetorit votohet varianti për plehrat

Programi i punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator-13 tetor 2017, ka përfshirë shqyrtimin e dekretit të Presidentit që refuzonte dekretimin e amendamenteve që qeveria Rama i bëri ligjit të mbetjeve.
Ligji i ndryshuar për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016.
Kryeministri u përpoq të hidhte poshtë dekretin e Presidentit, pra të rikonfirmonte importin e plehrave, gjatë ditëve të fundit të mandatit të shkuar, veçanërisht duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së opinionit publik për shkak të krizës politike. Kundërshtia e hapur e PD-së dhe hezitimet e LSI-së, si dhe reagimet e ashpra publike, e bënë të pamundur politikisht këtë miratim.
Tani që zgjedhjet janë pas dhe Rama ka siguruar shumicën i vetëm në Kuvend, miratimi i importit të plehrave do të jetë veprim i thjeshtë formal.
Importi i mbetjeve u miratua fillimisht nga qeveria Berisha në shtator 2011, në kundërshtimin e ashpër të Partisë Socialiste në opozitë, lëvizjes mjedisore dhe mijëra qytetarëve të thjeshtë, të cilët mblodhën firmat e nevojshme për të kërkuar referendum popullor në lidhje me këtë çështje. Anulimi i importit të plehrave u bë një nga premtimet kryesore elektorale të Edi Ramës në vitin 2013. Pas ardhjes në pushtet, në mënyrë simbolike, akti i parë i Edi Ramës ishte ndalimi me ligj i importit të plehrave, çfarë bëri të panevojshëm edhe vendimin e KQZ në lidhje me referendumin popullor për mbetjet.
Por në mënyrë krejtësisht të papritur, pa asnjë diskutim publik apo transparencë, në qershor 2016, Edi Rama vendosi lejimin e importit të plehrave duke amenduar ligjin e mbetjeve dhe duke e bërë atë më liberal ndaj importit edhe se ligji fillestar i qeverisë Berisha.
Importi i plehrave është kundërshtuar gjerësisht nga qytetarët dhe paraqet rrezikshmëri për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.
Justifikimet e qeverisë për lejimin e importit kanë qenë të mangëta dhe pak të besueshme. Justifikimi kryesor i qeverisë ka qenë detyrimi për harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së, por kjo gjë u përgënjeshtrua nga BE, e cila pranon që Shqipëria është e papërgatitur për menaxhimin e importit të plehrave nga jashtë.
Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e tri impianteve të mëdha djegëse (inceneratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille, çfarë ka rritur dyshimet se lejimi i importit të plehrave është bërë me qëllim për djegien apo groposjen në Shqipëri të plehrave të Italisë dhe vendeve të tjera europiane.

Rreziqet dhe shndërrimi i Shqipërisë në pikë grumbullimi plehrash

Tani që përmes blerjes masive të votave ia doli të krijojë shumicën e ëndërruar, Rama ka nisur të hartojë listën e gjatë të ligjeve klienteliste që do të kalojë në Parlament. I pari që pritet të miratohet është i shumëdebatuari ligji për importin e mbetjeve, ku Rama, në një intervistë për një media franceze pranoi se ligji i mbetjeve do të miratohet. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara. Rezoluta e përgatitur vitin e kaluar, në emër të Këshillit të Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillimgushtit të 2016 përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e ricklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mosrespektimi i kontratave ta kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Ja çfarë thotë Këshilli i Ministrave për këtë: “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”. Një nga arsyetimet përmes së cilave Kryeministri Rama ka mbrojtur rikthimin e importit të plehrave, të cilin 4 vjet më parë e ndali po vetë, ishte rreziku i falimentimit të industrisë së riciklimit. Shpeshherë Kryeministri theksoi se, investimet e kësaj industrie rrezikonin të shkonin dëm, pasi fabrikat po punon vetëm nga dy ditë në javë. Por vetë relacioni i Këshillit të Ministrave për çështjen në fjalë e hedh poshtë këtë pretendim, duke nënvizuar se pjesa më e madhe e tregut të brendshëm të mbetjeve ende nuk ishte shfrytëzuar. “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386.728.650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”. Këto objeksione të forta që vetë Këshilli i Ministrave shprehte ndaj ligjit për importin e plehrave i përkasin fillimit të muajit gusht 2016.