Veliaj, 17 shkolla me koncesion, 60 milionë euro në një vendim

Brenda muajit shtator Bashkia e Tiranës do të hapë garën për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes partneritetit publik privat, ndërkohë që pas miratimit të vendimit në Këshillin Bashkiak tashmë disa firma kanë shprehur interesin paraprak. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka bërë të ditur dje për “Scan Tv” se, shkollat do të kenë të integruar edhe kopshte, duke shtuar edhe numrin e këtyre të fundit. Gjithashtu, Mazniku tha se kjo është mënyra e duhur për t’i siguruar këto institucione arsimore brenda një kohe të shkurtër, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare mësimit me turne. “Banda e konkursit hapet brenda muajit shtator për t’i dhënë mundësi investitorëve të ndryshëm lokalë apo ndërkombëtarë të aplikojnë për këtë projekt, që unë besoj që është jo vetëm inovator, por është edhe projekti që do të japë në kohën më të shkurtër të mundshme një zgjidhje për një problem historik, që nuk ka pasur zgjidhje gjatë kësaj kohe në Tiranë. Ne sot kemi më shumë se 70% të shkollave të qytetit, të cilat bëjnë mësim me dy turne”, tha Mazniku. Vendimi parashikon një skemë prej 60 milionë eurosh të dhënies me koncesion të ndërtimit të shkollave në Tiranë. Është një vendim që Bashkia e ka mbajtur me kujdes jashtë vëmendjes së publikut. Konkretisht është projektvendimi “Për miratimin në parim të studimit të fizibilitetit dhe të kontratës ‘Tip’ të partneritetit publik privat ‘Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë’”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe partnerit privat. Anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk u është dhënë as studimi i fizibilitetit, as kontrata “Tip” që përmendet në titullin e vendimit. Kryebashkiaku Veliaj u dërgoi këshilltarëve të Këshillit Bashkiak paraprakisht vetëm një relacion të përgjithshëm informues, pa asnjë detaj dhe asnjë argumentim. Praktikisht relacioni thjesht bën me dije se: Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme; Bashkia do të ofrojë falas tokën publike për ndërtimin e këtyre shkollave ose në disa raste tokë private të shtetëzuar prej saj; Kostoja e ndërtimit, që do t’i paguhet privatit, është vendosur në rreth 350 euro për m2 për shkollat dhe 410 euro për m2 për kopshtet; Kostoja totale e projektit të shkollave me koncesion është llogaritur 60 milionë euro, nga të cilat rreth 40 milionë euro është kostoja e ndërtimit dhe 20 milionë euro fitimi që do t’i paguhet privatit. Projekti do të zgjasë 7 vjet; e gjithë kostoja e projektit do të paguhet nga qytetarët e Tiranës përmes taksës speciale të arsimit që ka vendosur Bashkia Tiranë dhe një fondi që do të marrë nga qeveria po nga taksat e qytetarëve. Asnjë analizë si është arritur në këtë propozim, asnjë e dhënë teknike për projektin, asnjë argumentim dhe justifikim ligjor, politik, administrativ apo teknik nuk u është bërë e ditur paraprakisht këshilltarëve bashkiakë që do të duhet të marrin vendimin. Gjithçka është paravendosur dhe Këshilli Bashkiak duhet vetëm të vulosë formalisht një vendim të Veliajt dhe Ramës. Projekti është në fakt një skemë e sofistikuar antiligjore dhe klienteliste, ku shteti, pra Bashkia Tiranë, merr përsipër të gjitha kostot dhe paguan për gjithçka, koston e ndërtimit, fitimin e bankave që do t’u japin kredi privatëve dhe fitimin e privatëve që do të ndërtojnë. Skema funksionion në mënyrë të thjeshtuar kështu: Privati merr hua në bankë; huanë e siguron qeveria/bashkia duke garantuar pagesat vjetore të privatit nga të cilat privati garanton pagesën e kësteve të bankës.

Si arsimi publik do t’i kalojë privatit

Partneritet publik privat “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe partnerit privat. Sipas relacionit, ky projekt synon zgjidhjen e problemeve të mbikapaciteteve përmes ndërtimit të 17 shkollave të reja, nga të cilat 10 do të jenë shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. Aktualisht, sipas Bashkisë, në Tiranë gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Nga llogaritjet e bëra rezulton se 61 shkolla kanë më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla e zhvillojnë mësimin me dy turne. Në total, në Bashkinë Tiranë janë 14,292 nxënës mbi kapacitetin maksimal të infrastrukturës arsimore dhe 14,919 nxënës që e zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë. Sipas relacionit, me taksën e arsimit, që u vendos nga janari 2016, synohej që të ardhurat e siguruara nga kjo taksë do të përdoren vetëm me synimin për t´i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja. Bashkia pohon se skema e koncesionit/partneriteti publik privat, ku shkollat e reja projektohen, financohen, ndërtohen dhe mirëmbahen nga koncesionari për një periudhë kohore 7-vjeçare, është teknikisht dhe ekonomikisht i realizueshëm dhe financiarisht i përshtashëm. Kostoja e ndërtimit të shkollave dhe kopshteve është përcaktuar sipas preventivave të projekteve të realizuara nga Bashkia Tiranë gjatë viteve të shkuara, të cilat janë indeksuar me “Ndryshimet mesatare vjetore të indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa), 1994-2015” të INSTAT. Bazuar në relacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, nr.prot. 21407/2, datë 09.08.2016, kostoja për ndërtimin e shkollave është 46,331.67 lekë/m2, ndërsa për ndërtimin e kopshteve është 54,380.83 lekë/m2. Duke llogaritur gjithashtu edhe kostot e tjera të projektit, si kostoja e mobilimit, kostoja e mirëmbajtjes, studim projektimi, mbikëqyrja e punimeve, kolaudimi, oponenca teknike, mbrojtja ndaj zjarrit dhe leja mjedisore. Në total, kostoja direkte e investimit për ndërtimin e 17 shkollave të reja është përllogaritur 5,406,768,353 lekë. Duke qenë se koncesionari do të paguhet me këste vjetore nga Bashkia Tiranë për një periudhë 7-vjeçare, atëherë ai do të duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë. Për këtë arsye si marzh fitimi kemi marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7-vjeçare fikse, e cila është përllogaritur 6,28%. Pas 7 vjetësh, në përfundim të kontratës, së bashku me koston e mirëmbajtjes, kostoja totale e skemës së koncesionit/partneritetit publik privat do të jetë 7,997,517,960 lekë, thuhet në relacion. Këstet vjetore që do t’i paguhen koncesionarit do të mbulohen nga të ardhurat nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe transferta e kushtëzuar nga Ministria e Financave.