Me Udinezen ishte një fitore e pistë

Në përfundim të ndeshjes së fituar ndaj Udinezes, trajneri Vinçeno Montela doli në konferencë për shtyp. Ai vlerësoi tri pikët duke deklaruar: “Vuajtëm, por mendoj se morëm tri pikë të merituara. Ishte një fitore e pistë. Më pëlqeu reagimi i djemve, sidomos pas pësimit të golit të barazimit. Mund ta mbyllnim takimin me një gol të tretë, por goli që na u anulua na shpërqendroi. Për sa i përket ndeshjes ndaj Lacios, nuk do të pranoja ta riluanim, pasi dua të mendoj që ajo disfatë na ka shërbyer”.
Në lidhje me paraqitjen e skuadrës së tij, Montela vijoi: “Fizikisht mendoj se jemi në gjendje të mirë. Nuk e njoh ende potencialin e organikës, dua të shfrytëzoj maksimalisht secilin prej tyre. Blerjet e reja kanë reaguar mirë, Andre Silva është ai që është rritur më së shumti, ndërsa nga Kesi jemi totalisht të kënaqur me gjithçka ka treguar deri tani”.
Duke analizuar një nga një disa prej lojtarëve të tij, tekniku 43-vjeçar tha: “Suso do të mësohet me rolin e ri. Nuk e pati të lehtë të gjente hapësira dhe kjo e nervozoi, por duhet që të ruajë qetësinë. Rikardo Rodrigez garanton shumë volum loje dhe ka një të majtë fantastike. Ai është një nga blerjet tona më të rëndësishme dhe është përshtatur shumë mirë”.
Çalhanoglu dhe Andre Silva e nisën përsëri sfidën nga stoli, me portugezin që nuk zbriti fare në fushë. Në lidhje me zgjedhjen e tij, Montela përfundoi: “Luajtëm të enjten larg shtëpisë. Nuk ishte e lehtë për askënd që të rikuperonte energjitë, ndaj m’u dukën më të drejta zgjedhjet teknike që bëra. Doja më shumë freski dhe ata që luajtën më dhanë përgjigjet që prisja”.
Strakosha shpëtimtar me një pritje që vlen sa një gol i shënuar. Kështu e cilësojnë numrin 1 të Lazios mediat italiane pas paraqitjes pozitive në transfertën e Genoas ku bardhekaltërit thyenë tabunë 7-vjeçare. Goli i dytë dhe i barazimit të përkohshëm për ligurët e futi në kaos mbrojtjen e Lazios që rrezikoi të pësonte edhe të tretin, por gardiani kuqezi nuk lejoi që rrjeta të prekej pas një ndërhyrjeje vendimtare.