Tre muaj pa rroga, fushata elektorale penalizon punonjësit bashkiakë

Kolapsi i krijuar për shkak të një ligji që nuk lejon punësime dhe shkarkime gjatë fushatës elektorale, ka krijuar një kolaps të vërtetë me pagat në Bashkinë e Lezhës dhe njësitë administrative në varësi të saj. Kështu, një pjesë e nëpunësve nuk kanë marrë rrogat prej tre muajsh, duke u përballur me një situatë të vështirë për familjen e tyre. Kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj premton ta zgjidhë shpejt problemin, por pa caktuar kohën e saktë të pagesës. Punonjësit e njësive administrative dhe një pjesë e nëpunësve të Bashkisë nuk kanë marrë pagat prej tre muajsh. Kjo situatë ka shkaktuar zemërim mes punonjësve të penalizuar, të cilët thonë jashtë kamerave se ndjehen pa zgjidhje. Shqetësimi është pranuar dhe nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj i cili thotë se bashkia nuk ka probleme financiare, por kjo ka ardhur për shkak të një ligji që pengonte punësimet dhe shkarkimet gjatë fushatës elektorale. Sipas tij për këtë kolaps është marrë masë ndaj drejtorit të personelit, i cili është shkarkuar nga detyra. Frrokaj ka garantuar se të gjithë punonjësit do të paguhen, por pa dhënë një afat se kur të ndodhë një gjë e tillë. Fran Frrokaj, kryetar i Bashkisë Lezhë: “Për shkak të një ligji që pengonte lirimet dhe punësimet në pjesën e fushatës u bë një farë kolapsi, i cili besoj shumë shpejt do të sqarohet” . Situata ka krijuar vështirësi financiare për punonjësit, shumica e të cilëve kanë si burim të vetëm të ardhurash pagën që marrin në bashki.