Tjetër trafik droge nga Shqipëria në Greqi, kapen 100 kg në Janinë

Shërbimi i Antidrogës në Janinë ka njoftuar për dy operacione të njëpasnjëshme, ku janë sekuestruar më shumë se 100 kg kanabis i importuar nga Shqipëria, dhe janë vënë nën pranga katër persona, dy shqiptarë, një grek dhe një shtetase gjeorgjiane. Operacioni i parë është zhvilluar në vendin e quajtur Terovo, në autostradën “Joniane”. Aty u ndalua për kontroll një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar, 41 vjeç.
Në portobagazhin e makinës u gjetën 3 çanta udhëtimi me 51 kg kanabis, të ambalazhuar në 14 paketa. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit si dhe bashkëudhëtarin e tij, me moshë 36 vjeç. Në operacionin tjetër, u arrestua një shtetas grek me moshë 47 vjeç dhe një 31-vjeçare, shtetase gjeorgjiane. Makina e tyre po lëvizte në hyrje të Janinës, në rrugën që vjen nga kufiri me Shqipërinë. Drejtuesi i mjetit nuk iu përgjigj sinjalit të policisë për të ndaluar, por rriti shpejtësinë dhe bëri manovra të rrezikshme për t’iu shmangur ndjekjes.
Përfundimisht ata ndaluan në rrugën Janinë-Kozani, afër liqenit të Janinës. Me ndihmën e qenit të zbulimit të drogës, policia gjeti një sasi kanabisi prej 52,3 kilogramë, që ata e kishin fshehur në një zonë me shkurre pranë vendit të arrestimit. Ashtu si dhe dy shtetasit shqiptarë, edhe këta u dërguan në Prokurori, të akuzuar për transport, posedim dhe trafik droge.
Një ditë parë u sekuestrua një sasi e madhe droge nga Shqipëria në tre operacione të policisë greke. Bëhet fjalë për 211 kg drogë të sekuestruar. Në operacionin e parë që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Eklisohori të Igumenicës u sekuestruan 108 kg marijuanë. Antidroga e Igumenicës në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Filatit, ndaluan një mjet që vinte nga kufiri i gjelbërt, në të cilin u gjetën dhe sekuestruan 12 pako të mëdha me 107 kg 850 gram marijuanë. Sakaq, në pranga ra shoferi 42 vjeç dhe pasagjeri 30 vjeç, për të cilët ende nuk thuhet nëse janë shqiptarë apo grekë.
Në një tjetër operacion, u ndoq një mjet që vinte nga kufiri dhe u ndalua në Ionia Odo. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 52 kg marijuanë. Për këtë rast, u arrestuan dy shqiptarë, 36 dhe 41 vjeç, rapojnë mediat helene.
Në operacionin e tretë, u ndoq një mjet që vinte nga kufiri dhe u kap në vendin e quajtur Amfithea. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 51 kg marijuanë. Në pranga një grek 47 vjeç dhe një shtetase gjeorgjiane 31 vjeçe. Poa të ditë në mëngjes në Igumenicë u kapën 108 kg marijuanë që vinin nga Shqipëria.