Thaçi takon Trump, ridimensionim i politikës amerikane në rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në praninë e gruas së tij, Lumnie Thaçi, kanë takuar dje, Presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump.
Kreu i Shtetit përmes një postimi në Facebook bën të ditur se homologu i tij, ia kishte rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.
“Bashkë me Lumen takuam Presidentin Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump, të cilët i falënderuam për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.
Presidenti Trump na rikonfirmoi në rrugëtimin euroatlantik”, ka shkruar Presidenti.
Po gjatë këtij muaji, gjatë një interviste dhënë në “Zërin e Amerikës” Thaçi bëri një deklaratë befasuese kur kërkoi angazhim aktiv të rolit amerikan në bisedimet me Serbinë që deri dje drejtohej nga Bashkimi Europian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për “Zërin e Amerikës” ka folur për perspektivën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjen e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Duke folur për takimin e tij me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe për bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi, Thaçi ka thënë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.
Në vazhdim të bisedës Thaçi ka thënë se ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë rolin e tyre aktiv në dialog, duke thënë se administrata e re të ketë një qëndrim shumë të qartë rreth këtij procesi.
Lidhur me shënimin e kufirit me Malin e Zi, Thaçi ka thënë se çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi, nuk është më çështje ndërshtetërore ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, po më tepër vetë çështje e Kosovës që të marrin vendimin e tyre në Parlamentin e Kosovës.

Marrëveshja 49 milionë dollarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkruajti marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së, në prani të shumë kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë, të cilët e kanë mbështetur Kosovën tash e sa dekada, bën të ditur një njoftim nga Presidenca.
Kjo marrëveshje prej 49 milionë dollarësh amerikanë do të fokusohet në dy fusha: Sundimi i Ligjit dhe Efiçenca në Energji, përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme që do të implementohen përgjatë 4 viteve.
Është kjo ceremonia e parë në historinë e MCC-së, që nënshkruan një marrëveshje të tillë në Kongres.
Kosova është parakualifikuar për programe të MCC-së, në nëntor të vitit 2015, me qëllim identifikimin e fushave të mundshme të investimeve transformative për rritje ekonomike, zvogëlim të varfërisë si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
Fillimisht Kosova pritej të përfitonte rreth 500 milionë euro nga MCC-ja, por fakti se organizata amerikane “Gallup” kishte vendosur Kosovën gati në krye të listës së vendeve më të korruptuara për vitin 2015, kishte ndryshuar mendjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Zyrtari i lartë i PDK-së, Petrit Selimi, kishte treguar se një nga faktorët kryesor se pse Kosova nuk i ka marrë fondet prej 400 deri në 500 milionë eurove, është pikërisht perceptimi për shkallën e lartë të korrupsionit sipas raportit të organizatës “Gallup”.
Selimi, në një interivstë në KTV në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte treguar se fakti që Kosova në raportin e vitit 2015 nga “Gallup” është vend me një shkallë të lartë të korrupsionit, ka ndikuar që Kosova ka rënë për një kategori më poshtë, nga ai “Compact” në “Threshold”.