Tërhiqet Levandovski

Bomberi polak i kampionëve gjermanë, Robert Levandovski, ka folur gjatë ditë së djeshme lidhur me të ardhmen e tij duke thënë: “Të gjithë e dimë se sa shpejt ndryshojnë gjërat në futboll. Ka shumë lojtarë që i përgjigjen pyetjes lidhur me të ardhmen e tyre ku thonë se duan ta mbyllin karrierën në skuadrën aktuale. Mirëpo ndodh që edhe vetë krerët e skuadrës të të thonë një ditë se nuk ta kanë më nevojën në skuadër. Megjithatë për mua Bajerni është një skuadër, tek e cila dua të vazhdoj të jap maksimumin e të luaj. Kam një kontratë në Mynih, e cila është e vlefshme deri në vitin 2021 dhe ndihem mjaft mirë këtu”.
Në këtë mënyrë, polaku i ka lënë dyert e hapura për të ardhmen e tij. Së fundmi, është përfolur shpesh për një largim të mundshëm të sulmuesit bavarez drejt skuadrës spanjolle të Realit të Madridit, pasi këta të fundit kanë kërkuar një marrëveshje me polakun.
Për këtë Levandovski ka thënë: “Kam jetuar me këtë situatë për dhjetë vite dhe gjithmonë ka patur spekulime lidhur me të ardhmen time. Mirëpo në fund kanë mbetur thjesht spekulime. Në fillimet e mia jam përpjekur gjithnjë ta largoj veten sa më shumë prej këtyre thashethemeve, por me kalimin e kohës të bëhen pjesë e rutinës dhe kam mësuar se s’ka asgjë që mund t’i ndryshojë. Nuk jam aspak i interesuar te shifrat ose cili klub i ofron ato. Dua të marr maksimumin dhe të jap rezultate sa më të mira”.
Sulmuesi polak, Robert Levandovski ende nuk e ka shprehur haptazi dëshirën e tij për t’u larguar nga Bajern Mynih, por ka dhënë disa shenja të qarta. Fillimisht kishte kritikuar skuadrën që nuk po transferon lojtarë të mëdhenj, me të cilët do të mund të përmbushte ëndrrën e tij për ta fituar Ligën e Kampionëve. Sipas “Bild”, Levandovski ka filluar kursin e gjuhës spanjolle, në mënyrë që vitin e ardhshëm të jetë i gatshëm kur të transferohet në Real Madrid. Mbetet të shihet nëse Reali do të tentojë transferimin e tij në vitin 2018, kur Levandovski do të jetë pothuajse 30-vjeçar.
Edhe Manchester City po synon ta transferojë Robert Levandovskin nga Bajern Mynih. Sipas tabloidit britanik, “The Sun”, menaxheri i Manchester City-t, Pep Guardiola po mendon që ta transferojë Robert Levandovskin nga Bajern Mynih gjatë janarit. Thuhet se Guardiola ka dërguar disa skautë për ta përcjellë polakun në fitoren e Bajern Mynihut ndaj Mainzit (4:0). Guardiola ka raporte të mira me Levandovskin, me të cilin ka punuar te Bajern Mynih. Sipas “The Sun”, Guardiola mund të përfitojë nga raportet e mira që ka me polakun.