Tension te Bayerni

Tension në radhët e Bayernit të Mynihut. Një klimë aspak e mirë paraqitet në kampin e bavarezëve, sidomos pas deklaratave të sulmuesit Robert Lewandowski, i cili kritikoi drejtuesit e klubit për merkaton e zhvilluar dhe pjesëmarrjen e skuadrës në turnetë aziatikë. Deklarata që fare mirë mund të përkthehen si një sinjal i qartë që e ardhmja e bomberit polak do të jetë larg bavarezëve. Në lidhje me këto akuza ka folur shefi ekzekutiv i Bayernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge. Përgjigjja e tij karakterizohej nga doza të forta ironie, ku sigurisht do të shtojnë akoma edhe më shumë përçarjen mes Lewandowskit dhe Bayernit.
“Nëse Robert është ankuar për udhëtimin e skuadrës drejt Azisë, duhet ta dijë fare mirë që ekipi që ai ëndërron të jetë pjesë e tyre, pra Reali i Madridit, ka kaluar plot 24 ditë në Azi, dyfishin tonë. Nuk është hera e parë që Lewandowski flet keq për Bayernin dhe pas këtyre deklaratave unë besoj se qëndron agjenti i tij, Barthel. Robert ka një kontratë që skadon më 2021 dhe për fatin e keq të sulmuesit nuk ka asnjë klauzolë që kontrata të zgjidhet në mënyrë të njëanshme”.
E thënë ndryshe, nëse Reali i Madridit kërkon të sigurojë shërbimet e bomberit polak duhet të hyjë në negociata me drejtuesit bavarezë, por “Los Blancos” nuk janë të vetëm në garë, pasi sipas asaj që raportojnë mediat britanike, Lewandowski ka një raport të mirë me teknikun e Man.City, Pep Guardiola dhe gjasat janë që e ardhmja e tij të jetë pikërisht tek Citizens dhe jo gjatë merkatos verore, por në dritaren e transferimeve të muajit janar për shumën e 80 milionë eurove.
Kjo nuk është hera e parë që tek kampionët e Gjermanisë ndodhin të tilla përplasje verbale. Stefan Reinartz, një mik i afërt i Toni Kroos, ish-mesfushor i bavarezëve, në një intervistë është shprehur se ishte pikërisht Rummenige ai që e detyroi futbollistin të largohej, sepse sipas tij kërkesa e Toni Kroos për një pagë më të lartë nuk qëndronte, pasi Rummenige e cilësonte atë si një futbollist jo të klasit botëror. Sipas Reinartz, miku i tij nuk u largua për shkak të pagës, por sepse ai nuk ndihej i vlerësuar nga drejtuesit e skuadrës. Ndoshta këtë herë shefi ekzekutiv i bavarezëve do të bëhet sërish shkaktar për një tjetër largim të bujshëm nga radhët e Bayernit të Mynihut.
I pafat Manuel Neuer, gardiani i bavarezëve dhe i përfaqësueses gjermane, është dëmtuar sërish në këmbën e majtë, pikërisht aty ku u operua prillin e kaluar dhe për këtë arsye paraditen e kësaj të marte i është nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale. Neuer është dëmtuar në stërvitjen e fundit të Bayern-it përpara ndeshjes ndaj Schalke 04, dhe lëndimi i tij duket serioz. 31-vjeçari i kombëtares së pancerave vendosi për ta përfunduar përpara kohe sezonin e kaluar pikërisht për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbën e majtë për të lënë pas problemet. Neuer u kthye në dispozicion të trajnerit Ancelotti në fund të muajit gusht, por tashmë është i detyruar të ndalet sërish. Pasi u aktivizua në 3 ndeshjet e fundit të Bundesligës, portieri do të qëndrojë sërish në bokse. Me konfirmimin e diagonozës Neuer pas analizave të detajuara, të cilat portieri i kreu mëngjesin e kësaj të marte, i është drejtuar menjëherë sallës së operiacionit. Siç raporton klubi i Bayern-it në faqen zyrtare, viti 2017-të është mbyllur përpara kohe për gardianin e kombëtares gjermane sepse për t’u rehabilituar plotësisht, Neuer-it do t’i duhen disa muaj dhe rikthimi i tij në fushë do të bëhet i mundur në janar të 2018-të. Në mungesë të kapitenit, porta e Bayernit në ndeshjet e mbetura të këtij viti do të mbrohet nga Sven Ulreich.