Tabaku-Ahmetajt: Informalitetin e shkaktojnë taksat e larta dhe korrupsioni

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i është përgjigjur ministrit Ahmetaj, në lidhje me aksionin kundër informalitetit. Deputetja demokrate theksoi se informalitetin e shkaktojnë taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal, burokracia dhe korrupsioni, ku qeveria e Ramës është kampione. Duke risjellë në vëmendje aksionin e fundit antiinformalitet të qeverisë, Tabaku thekson se ajo solli mungesën më të madhe të të ardhurave të shtetit me një vlerë prej 80 mln USD në vetëm një muaj.
“E dini çfarë e shkakton informalitetin? Taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal me 6 nivele, burokracia dhe korrupsioni. Të njëjtat pengesa që kanë varfëruar vendin dhe larguar investimet e huaja që janë në nivelin më të ulët historik.
E dini çfarë ndodhi herën e fundit që qeveria nisi aksionin antiinformalitet? Mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit me një vlerë prej 80 mln USD në vetëm një muaj!
Ka një mësim që duhet ta kishin kuptuar gjoja reformatorët. Lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale. Në vend të propagandës që të mbushë portale e lajme do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale. Për këtë të fundit duhet vizion dhe ndjeshmëri politike. Qartazi sa më sipër mungojnë. Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, për të cilat qeveria është kampion, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 mln që KLSH zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit!
Ps. Në përgjigje të deklaratës së ministrit Ahmetaj për vitin e informalitetit!”, shprehet Tabaku.