Superbuxheti ushtarak i SHBA, 700 miliardë dollarë

Senati amerikan pritet të miratojë një projektligj për politikën e mbrojtjes, që parashikon 700 miliardë dollarë për buxhetin e Pentagonit dhe forcon mbrojtjen kundër raketave, në përgjigje të provave me raketë të Koresë së Veriut.
Projektligji pritet të miratohet me një shumicë të konsiderueshme, me mbështetje nga të dyja partitë në klimën e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për bashkëpunim me demokratët e Kongresit. Projektligji e ndihmon Presidentin të mbajë premtimin e fushatës për një shtim të shpenzimeve ushtarake prej dhjetëra miliarda dollarësh.
Projektligji i Senatit siguron 640 miliardë dollarë shpenzime për operacionet bazë të Pentagonit, si blerja e armëve dhe pagesat për trupat, si dhe 60 miliardë dollarë të tjera për misionet e luftës në Afganistan, Irak dhe Siri.
Me programin bërthamor të Koresë së Veriut, që shihet si një kërcënim i qartë për SHBA dhe aleatët e tyre, projektligji parashikon 8.5 miliardë dollarë për të forcuar sistemet amerikane të raketave dhe të mbrojtjes.