Strakosha, heroi i Lazios

Strakosha shpëtimtar me një pritje që vlen sa një gol i shënuar. Kështu e cilësojnë numrin 1 të Lazios mediat italiane pas paraqitjes pozitive në transfertën e Genoas, ku bardhekaltërit thyen tabunë 7-vjeçare. Goli i dytë dhe i barazimit të përkohshëm për ligurët e futi në kaos mbrojtjen e Lazios që rrezikoi të pësonte edhe të tretin, por gardiani kuqezi nuk lejoi që rrjeta të prekej pas një ndërhyrjeje vendimtare.
Refleks i pastër që karikoi ekipin kryeqytetas, pasi vetëm pak sekonda më vonë Immobile gjeti edhe golin e tretë. Një paraqitje që konfirmon edhe më shumë momentin pozitiv të 21-vjeçarit shqiptar, i cili ka blinduar portën e Lazios. Në dy golat e pësuar, Strakosha rezulton i pafajshëm pasi ishte mbrojta e Lazios që nuk arriti të bllokonte të riun Pellegri, i cili shënoi fillimisht me një devijim dhe më pas duke përfituar nga pakujdesia e repartit difensiv bardhekaltër.