Starton turi i forcës për Skënderbeun

Fustar fenomen apo gabime amatore në mbrojtjen e Skënderbeut? Peshorja e së vërtetës ndoshta mund në anojë në krahun ku lojtarët e skuadrës korçare janë fajtorë. Barazimi i Skënderbeut në Kamëz është një kambanë e parë alarmi edhe pse jemi vetëm në javën e dytë të kampionatit. Lodhja fizike që sjell si pasojë edhe atë psikologjike mund të rëndojë këmbët e skuadrës së Ilir Dajës që deri në pushimin e kombëtareve do të luajë 3 ndeshje vendimtare për fatet e sezonit. 10 ditë jetike për skuadrën korçare që po reflekton lodhjen e imponuar nga kalendari i ngjeshur. Nëse llogariten edhe ndeshjet eliminatore të Europa League, Skënderbeu nuk pushon që prej 29 qershorit dhe lodhja është e dukshme në këmbët e lojtarëve. Mungesa e oksigjenit u vu re edhe në pjesën e dytë kundër Kamzës, ku ritmi i ndeshjes ra ndjeshëm, ndërsa fizikisht skuadra linte për të dëshiruar. Si pasojë e lodhjes së madhe muskujt nuk përgjigjen dhe ky mund të jetë një problem i madh për juglindorët që po përgatiten për një tur force. Nga Kievi në Kamëz dhe nga Kamza në Korçë. Këtë javë trajneri Daja ka pasur shumë punë për të rikuperuar sa më shumë energji sepse testi i parë i vërtetë i kampionatit është Partizani. Kryeqytetasit kanë pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion për ta përgatitur këtë sfidë dhe fizikisht janë pothuajse në gjendje optimale. Në krahun tjetër, Skënderbeu reflekton mungesën e qartësisë në të gjitha repartet, e ndikuar ndoshta edhe nga rotacioni apo mungesat.
Gjithsesi, këtë fundjavë në Korçë do të luhet një tjetër 90 minutësh i vështirë edhe pse trajneri ka vënë theksin në kampionat, ndoshta është e paevitueshme që skuadra të mendojë edhe për sfidën e mesjavës në Europa League kundër Young Boys. Zviceranët në formë të shkëlqyer në kampionat do të testojnë muskujt e korçarëve vetën 5 ditë pas ndeshjes së kampionatit dhe më pas Skënderbeu do të udhëtojë 4 ditë më vonë në Kukës. Përballë kampionëve në fuqi, hapi fals mund të krijojë një hendek të madh mes dy pretendenteve për titullin, por këtë do ta tregojë vetëm fusha dhe aftësia e lojtarëve për t’u përshtatur me realitetin. Një situatë aspak komode edhe për vetë trajnerin Ilir Daja që duhet të bëjë zgjedhje të vështira, të paktën deri në pushimin e imponuar nga kombëtaret në datën 2 tetor, ku Skënderbeu do të ketë mundësi të fitojë oksigjen, por të luajë edhe sfidën e dytë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë që ishte parashikuar të luhej mesjavën e ardhshme, por me kërkesë të klubit korçar është shtyrë për të mos krijuar një situatë edhe më të rënduar.