Skënderbeu beson

Në aspektin personal mund të konsiderohet edhe si një fitore, me Gjergji Muzakën që ka treguar se sa vlen pas peripecive që kaloi sezonin e shkuar, megjithatë në fund ai që vlen është rezultati i diktuar nga ai fillim i keq i pjesës së dytë përballë Dinamos së Kievit. “Vendosën episodet, dy minuta bënë diferencën. Të gjithë e dinim forcën e kundërshtarit. E kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe gjatë pjesës së parë e interpretuam mirë, duke u mbrojtur dhe duke shfrytëzuar mundësitë. Në futboll episodet vendosin shumë: fillimi i pjesës së dytë ishte i keq për ne, sepse humbëm përqendrimin apo për meritë të kundërshtarit. Ato dy minuta bënë diferencën. Kundërshtari ka aftësinë të administrojë avantazhin dhe duke parë rivalët gjithçka vështirësohet”, u shpreh Muzaka.
Natyrisht që vlen edhe një shpjegim i momentit të golit, i thjeshtë, si futbolli që Muzaka luan prej një jete. “Goli? Janë episodet që gjatë ndeshjes një lojtar e lexon situatën, nëse do të pasojë apo do të ketë hapësirë për të avancuar. Unë pashë hapësirë përpara, edhe mbrojtësi u tërhoq”, tha ai.
Me Ilir Dajën që e kishte pozicionuar në vend të Nimagës, Muzaka shprehet se eksperienca e ka ndihmuar të përshtatet edhe me rolin e ri, ndërsa evidenton edhe çelësin e suksesit të paraqitjes dinjitoze të Skënderbeut në arenën ndërkombëtare. “Arma kryesore e Skënderbeut ka qenë fryma e grupit. Duhet të jemi të sinqertë, ku çdo ekip që kemi pasur përballë gjatë kualifikueseve ka qenë favorit. Fryma e grupit dhe eksperienca na kanë ndihmuar të ecim përpara. Por, kur luan në nivelet e ekipeve si Dinamo e Kievit është e vështirë. Megjithatë, motivimi i skuadrës dhe përqendrimi ka qenë gjithmonë në nivelet maksimale”, tha ai.
Mesfushori i Dinamos së Kievit, Vitali Bayalskyy është shprehur se lodhja e lojtarëve të Skënderbeut bëri që ata në fund të festonin 3:1. “Skënderbeu mbrohej mirë dhe në pjesën e parë ishte shumë e vështirë që të gjeje hapësira. Një gjë e tillë nuk ndodhi në të dytën dhe mendoj se kundërshtari ishte pak i lodhur. Nëse ata fizikisht do të ishin në formë, do ta kishim të vështirë që të fitonim, pasi ata do të luanin njësoj si në pjesën e parë”, tha Bayalskyy pas ndeshjes.
Edhe trajneri i Dynamo Kiev, Khatskevich foli pas ndeshjes me Skënderbeun ku vlerësoi skuadrën, por edhe pranoi se ekipi korçar e befasoi skuadrën e tij në 45 minutat e para. “Arritëm një fitore të rëndësishme, por morëm kontrollin e lojës vetëm pas golit të dytë që shënuam. Më mirë nuk po e tregoj çfarë u thashë lojtarëve në pushimin e ndeshjes. Pas pjesës së parë të mbyllur në disavantazh ishim në ankth, sepse gjithçka mund të ndodhte. Kundërshtarët na kundërsulmuan me zgjuarsi në pjesën e parë, ndërsa ne nuk i shfrytëzuam rastet e krijuara. Në fillim duhet të sigurosh rezultatin dhe më pas të mendosh për lojën e bukur”, u shpreh Khatskevich.