Skema e re e vjedhjes së 50 milionë eurove me ARMO-n

Një tjetër faliment me një faturë borxhi deri në 630 milionë euro duket se po i kanoset Uzinës së Ballshit dhe ARMO-s, e paralajmëruar kjo nga një punonjës i Tatimeve. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar faktet e sjella nga zyrtari, të cilat ndërtojnë një skemë të pastër abuzimi me pushtetin dhe vjedhjeje të dirigjuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe klientë të qeverisë, ku një individ i ardhur nga “parajsat fiskale” dhe i paraqitur si “investitor i madh” ka marrë me qira uzinën dhe prej tre vjetësh, nuk paguan asnjë detyrim.
Berisha e ka konsideruar këtë skemë si “një megavjedhje shtetërore e paimagjinueshme, me pasoja katastrofale për ekonominë! Lexoni mesazhin e zyrtarit dixhital!” fton Berisha në vijim.

Përshëndetje Doktor! Uroj të jesh mirë!

Një punonjës i Tatimeve më informon se: Një vjedhje e paimagjinueshme shtetërore po bëhet me skemën që funksionon me Uzinën e Ballshit dhe ARMON-n. Edhe pse i janë vjedhë me këto skema 580 milionë euro gjithë sistemit (tatime, dogana, banka), evazioni vazhdon në të njëjtën mënyrë.
Besniku i partisë ka sjellë një kompani nga parajsat fiskale, “investitor i huaj”, mund të quhet nga rilindja, apo edhe Diplomaci Ekonomike, ka paraqit dhe një të huaj dy tre herë në media sikur është investitor i madh dhe ka marrë me qira uzinën.
Përveç mospagimit të ujit, dritave dhe sigurimeve etj., deri sot nga janari i këtij viti, janë shmangur nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe karbonit afro 50 milionë euro.
Kjo vjedhje është realizuar nëpërmes gjoja magazinës fiskale, jashtë gjithë kushteve ligjore dhënë nga ish-ministri Ahmetaj. Pa fol këtu që solar, verxhin dhe squfur jashtë çdo standardi i jepet tregut dhe mushkërive të qytetarëve dhe askush nuk guxon të flasë, pasi shuma të mëdha nga ky evazion janë hedhur në fushatë në Fier e Vlorë për pushtetin.
Tani që ka filluar të ziej ky problem, qiramarrësi fiktiv, (pasi i vërteti fshihet), po bëhet gati të shpallë falimentin dhe të zhduket dhe thjesht ARMO-s i rritet borxhi nga 580 në 630 milionë euro, skemë kjo që ka 3 vjet që vazhdon! Të uroj jetë të gjatë dhe mbarësi!”

Nafta e Patos-Marinzës në treg dëmton makinat

Gjysma e prodhimit në fushat e Patos-Marinzës hidhet për tregun vendas, e cila shitet si naftë importi. Në një shkrim të revistës “Monitor” bëhet me dije se, për vitin 2017, 50% e naftës së prodhuar nga Bankers Petrolium i është shitur kompanisë “Ionian Refining & Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC), pas së cilës qëndron biznesmeni klient i Edi Ramës, Besnik Sula i “Tajvanit”. Sasia për vitin 2016 e naftës së nxjerrë ka qenë rreth 1.2 milionë tonë naftë, ndërsa sivjet pritet që të ulet me 1 milion tonë. Më parë, thuajse e gjithë sasia që prodhohej shkonte për eksport, pasi ARMO, e cila ka ndryshuar emrin në IRTC, nuk kishte kapacitet dhe teknologji përpunimi për shkak të cilësisë së ulët të saj. Ndërkohë që IRTC vazhdon me teknologjinë e vjetër të ARMO, Bankers Petroleum po shet naftën e Patosit për përpunim tek kjo firmë. Më pas, kjo e fundit e hedh në tregun vendas, në formën e përpunuar të naftës apo benzinës, por që është shumë më e ulët në cilësi se nafta e importit. Nuk janë pak, por rreth 500 mijë tonë naftë ose sa 60 deri në 70 për qind e konsumit vjetor. Pra, në rast se keni problem me cilësinë e karburantit, duhet ta dini që nuk është faji i pikave, por makutëria e Kryeministrit dhe e klientëve të tij, ka sjellë këtë situatë monopol që po na kushton jo pak.

Afera me ARMO-n

Kompania ARMO iu dha nga Rama kompanisë “Ionian Refining & Trading co”, kompani kjo e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin dhe në mes të qershorit të vitit të kaluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Opozita dhe ish-kreu i saj Berisha, kanë deklaruar se pas kësaj kompanie qëndron sipërmarrësi shqiptar Besnik Sula. Shumë media përmes artikujve investigues u përpoqën të hedhin dritë mbi atë çfarë po ndodh realisht me kompaninë e zhytur në borxhe. Cilat janë detyrimet e kompanisë së re ndaj debitorëve e mbi të gjitha me kë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e ARMO-s. Në daljet publike, Kryeministri ka pohuar se kompania do të shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve. Por edhe lidhur me këtë ka dyshime të mëdha. Marrja në shfrytëzim, siç është përmendur edhe në një njoftim të Bankers Petroleum, nuk nënkupton shumë angazhime financiare për kompaninë e re. Planet e saj zgjatën maksimalisht në 18 muaj. Deri në mars të vitit të kaluar, borxhi i ARMO-s kishte arritur në 600 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë. Kjo shumë është sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose sa buxheti i një viti për arsimin e shëndetësinë në gjithë vendin. Detyrimi marramendës i ARMO-s ka vënë në vështirësi disa banka. Gjysma e borxhit është marrë pranë tyre. Ndërsa po kaq është detyrimi ndaj shtetit.

Ndër vendet me resurse të mëdha nafte, por…

Shqipëria renditet në vendin e 26 në Evropë të paktën për rezervat e naftës, çka do të thotë një vend ku ky mall nuk mungon. Rezervat përllogariten në 400 milionë tonë, çka do të thotë që çmimi për këtë produkt duhet të ishte shumë herë më i ulët. Vendet prodhuese të naftës njihen për çmimet e tyre të ulta me të cilën ja shesin qytetarëve këtë produkt. Shqipëria, mban vendit e 25 në botë për çmimin më të lartë të karburanteve, duke u krahasuar me vende me standarde të larta si Norvegjia, Holanda, Danimarka, Suedia, Zvicra apo Anglia. Në vendet prodhuese ky çmim nuk e kalon vlerën e 0.3 dollarëve për litër. Maqedonia për shembull nuk është vend prodhues i naftës, por çmimi në momentet që po flasim nuk i kalon 91 lekë për litër, ndërsa në Shqipëri është gati dyfishi. Duket se çmimi mbahet qëllimisht i lartë për të favorizuar me shitje naftën e Besnikut të Tajvanit, i cili me shpejtësi po monopolizon tregun e karburanteve, natyrisht së bashku me një grusht klientësh të tjerë të Ramës. Kjo ishte dhe arsyeja se përse qeveria me anë të një lëvizje të çudtishme vendosi të rrisë çmimin e gazit me dhjetë lekë për litër. Kjo u bë për të dekurajuar konsumatorin me qëllim që të kthente sytë sërish nga nafta dhe benzina, e cila vazhdon të shitet me çmim të lartë, por me cilësi të dobët.

“Ionian Gas” u krijua enkas nga Besnik Sula për të marrë ARMO-n

“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator të vitit të kaluar nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do t’i shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama. Në këmbim të kësaj, siç deklaron edhe vetë Bankers, qeveria i ka dhënë të drejtën e shpimit kompanisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, si dhe tërheqjen e një pjese të madhe të prodhimit të naftës të Patos-Marinzës, e cila i përket Albpetrol-it. Pra, Rama i ka siguruar lëndën e parë me naftë vendase Besnik Sulës, duke bërë një pazar me Bankers. Nafta e përpunuar nga ARMO me pronar të ri njëkohësisht do ta ketë të garantuar tregun e shitjes në vend. Edhe për këtë është kujdesur personalisht Kryeministri Rama. E gjithë flota automobilistike e shtetit do të furnizohet me këtë naftë, por leje pa kufi tregtimi kjo naftë do të ketë edhe për shitjen nga disa operatorë privatë të përzgjedhur. Për të garantuar fitimin gjigant që pritet nga kjo aferë e fundit, Rama i ka dhënë një kompanie tjetër offshore, “Ionian Gas”, të krijuar së fundmi po nga Besnik Sula, fushën më të madhe gazmbajtëse në vend, atë të Delvinës, për vetëm 12 milionë dollarë. Në qoftë se pazari i parë i qeverisë me Bankers është zbardhur, ende ngelet mister kompania e panjohur offshore turke, “Transatlantic Petroleum”, e cila i shiti kompanisë së Sulës, plot 75% të aksioneve të fushës gazmbajtëse, nga më të mëdhatë në Europë. Pavarësisht nga dyshimet e shumta dhe faktet që u nxorën në media për aferën gjigante të Ramës me Besnik Sulën, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ka nisur puna, nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka asnjë lloj informacioni se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re offshore “Rama-Sula”, me rafinerinë ARMO.