Skandali Xhafa, ja si po rrjep punonjësit privatë të sigurisë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa urdhëron të gjithë punonjësit e shërbimit privat të sigurisë fizike që të bëjnë trajnime me detyrim tek dy kompani private që kanë lidhje me ministrin, për t’u riçertifikuar. Xhafa ka firmosur një udhëzim që më 22 maj të këtij viti, pak ditë pasi ishte emëruar ministër i Brendshëm nga Rama pas largimit të Saimir Tahirit. Tani që u emërua sërish ministër i Brendshëm, Xhafa ka urdhëruar të gjithë drejtuesit e komisariateve të policisë që të detyrojnë të gjithë punonjësit e shërbimit privat të sigurisë të bëjnë menjëherë trajnimin në njërën nga dy kompanitë e caktuara nga Ministria e Brendshme.
Skandali është denoncuar nga punonjësit e shërbimit privat të sigurisë, sipas të cilëve, ky udhëzim është lëshuar nga ministri Xhafa për t’i rrjepur ata nëpërmjet dy kompanive që kanë lidhje direkt me ministrin e Brendshëm.
Një grup punonjësish të shërbimit privat të sigurisë i janë drejtuar me një letër mediave për të denoncuar këtë skandal që mban firmën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.
“Jemi një grup i madh punonjësish të shërbimit privat të sigurisë fizike (SHPSF). Me një udhëzim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa Nr. 308, datë 22.05.2017, po na detyrojnë që të riçertifikohemi si punonjës të shërbimit privat të sigurisë, duke na detyruar nëpërmjet punëdhënësve ose drejtuesve teknikë, që të bëjmë trajnime në dy institucioni private, të çertifikuara sipas këtij udhëzimi të ministrit të Brendshëm.
Sipas Ligjit 75/2014, të gjithë personat që do të punësohen në SHPSF duhet të kenë trajnimin nga Akademia e Sigurisë që kushton 38000 lekë. Vetëm Akademia, pa llogaritur dokumentet plotësuese që duhen dorëzuar.
Tani udhëzimi i ri na detyron që të gjithë punonjësit aktualë, që në të gjithë Shqipërinë janë 8900 vetë të bëjmë trajnim. Nuk është vetëm shuma që është një çmenduri, por edhe ditët që për t’u çertifikuar duhen plot 15 ditë pune, sipas udhëzimit, ose tre javë që të largohesh nga puna, që askush nuk ta paguan.
Të mos harrojmë se ky lloj punësimi është punësimi me bastard që mund të ekzistojë, ku askush nuk e zbaton Vendimin nr. 399, datë 05.05.2017, të Këshillit të Ministrave, i cili rrit pagën minimale nga 22.000 lekë në 24.000 lekë, si dhe bazuar në Ligjin nr. 75/2014 për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike, kreu lll, pika g.
Dhe askush nuk zbaton dhe nuk i shikon prej vitesh, mesatarisht duke llogaritur orët sipas Kodit të Punës një punonjës shërbimi duhet të marrë 35000 lekë neto në 22 ditë pune, por kush ta shikojë, këta duan të rrjepin”, shkruhet në letrën e punonjësve të shërbimit privat.
Më tej, në letër shkruhet se pas udhëzimit të ministrit Xhafa të gjithë komisariatet e policisë u kanë kërkuar atyre të bëjnë menjëherë riçertifikimin.
“Në të gjithë komisariatet e policisë po u kërkohet të gjithë punonjësve të shërbimit privat të sigurisë të zgjedhin se ku do ta bëjnë çertifikimin, prej dy javësh sipas udhëzimit të ministrit Xhafa, Nr.308, 22.05.2017.
Të gjithë janë çorientuar, pasi ata që kanë arsimin tetëvjeçar duhet të largohen nga puna, pavarësisht se me ligjin e vjetër që duhet të kishe arsimin tetëvjeçar dhe të kishe bërë ushtrinë, deri tani mund të jenë më shumë se 2000 vetë të moshave nga 50-60 vjeç që duhet të largohen.
Në të gjithë komisariatet nuk të japin shpjegim. Trajnimet dhe çertifikimet do të bëhen vetëm në tri vende. Akademinë e Sigurisë (Shkolla e Policisë) kushton 38000 lekë. Arms school akademi (Pelikan Security) 20000 lekë. Rogat Security 20000 lekë.
Në të gjithë vendet shteti kushton më pak, ndërsa privati më shumë. Në këtë rast ndodh e kundërta, privati të favorizon duke ta dhënë vetëm me para (si universitet e dikurshme)”, shkruhet në reagimin e punonjësve të shërbimit privat të sigurisë fizike.