Si i manipuloi deputetja e PS-së banorët e Shkozës

Para disa ditësh, banorët e Shkozës, bllokuan rrugën kryesore për të ndaluar prishjen e shtëpive të tyre. Forca të shumta policore ndërhynë për të shpërndarë banorët, ku nuk mungoi dhuna dhe skenat e “zakonshme” të tërheqjes zvarrë të protestuesve. Pamjet e një fëmije 6 vjeç, i cili qante me ngashërim ndërkohë që i ati po dhunohej nga policia, ngjallën reagime të shumta në opinionin publik. Opozita kërkoi ndaljen e dhunës mbi banorët dhe ndërhyrjen e ARRSH-së, Bashkisë dhe institucioneve përgjegjëse. Pas kësaj, deputetja e cila kishte premtuar gjatë fushatës, legalizime falas për banorët, Elona Gjebrea nëpërmjet një postimi në Facebook, qetësoi protestuesit dhe i siguroi se projekti do të rishikohej për të bërë më të mirën për banorët e kësaj zone. Mëngjesin e djeshëm në orën 08:00, gazetari Erjon Skëndaj raportoi nga Shkoza se INUK kishte ndërhyrë tashmë në Shkozë duke prishur dhe banesën e parë. Banorët u shprehën të habitur, pasi ata prisnin një konsultim me insitucionet dhe deputetët e zonës lidhur me projektin e shumëpërfolur për rehabilitimin e lumit Lana. 153 familje preken nga ky projekt dhe pritet që shtëpitë e tyre të prishen.

Hashtag.al