Si fshehu Policia e Tiranës disa ngjarje kriminale në shtator

Disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Tiranë gjatë muajit shtator nuk janë raportuar në komunikatën zyrtare të policisë, duke u mbajtur kështu e fshehte për opinionin publik. Ndonëse këtij të fundit, i raportohen përmes njoftimeve zyrtare në media edhe ngjarje apo operacione policore shumë më pak të rëndësishme apo të rrezikshme, disa ngjarje si shkëmbime zjarri apo edhe të shtëna armësh ndaj policisë janë mësuar vetëm jozyrtarisht nga burime policore, apo nga dëshmitarë në vendngjarje.
Kështu, një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit, në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë është raportuar në komunikatën e brendshme të policisë. Por ka munguar në njoftimet për shtyp që i përcillen medias çdo ditë. Bëhet fjalë në rastin konkret për të shtëna armësh nga persona ende të paidentifikuar, në drejtim të mjetit tip “Renault”, me drejtues një 23-vjeçar, banues në Tiranë.
Në rrugën “5 Maji”, mësohet gjithashtu se po këtë muaj ka pasur një shkëmbim zjarri, por që nuk është raportuar as në komunikatat e brendshme të Policisë.
Në vendngjarje u gjetën vetëm disa gëzhoja automatiku “Kallashnikov”. Ndërsa burimet thonë se kanë qenë disa të rinj nga Bulqiza që kanë qëlluar pas një konflikti ku shkak është bërë shitja e lëndëve narkotike në këtë zonë.
E po në këtë rrugë, sipas burimeve, makina e një avokati, e parkuar poshtë pallatit ku banonte është qëlluar disa herë me armë. Sërish autori mbetet anonim.
Një ngjarje tjetër e rëndë që nuk është raportuar nga Policia e Tiranës, është ajo ndaj efektivëve të Patrullës së Komisariatit Nr.6, ndaj të cilëve është qëlluar me breshëri automatiku. Burime të policisë thonë se efektivëve u rrezikua jeta nga 3 grabitës të armatosur që po tentonin të grabisnin një mjet luksoz.