“Shullazi”, dëshmitari ndryshon dëshminë e dhënë në Prokurori

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të zhvillojë procesin e gjyqit ndaj Emiljano Shullazit dhe 5 anëtarëve të bandës së tij, duke rrëzuar kështu kërkesën e avokatëve për trupin gjykues me 3 gjyqtarë. Emiljano Shullazi kërkoi edhe ai të gjejë “shpëtim” tek reforma në drejtësi, pasi avokati i tij, Vladimir Meçi, kërkoi dje ndryshimin e trupit gjykues sipas Kodit të ri të Procedurës Penale. Kodi i ri parashikon që trupi gjykues të funksionojë me tre anëtarë, por aktualisht trupa gjykuese funksionon me 5 anëtarë. Pas kërkesës së avokatit, trupi gjykues është tërhequr për vendim dhe i ka thënë jo kërkesës së Shullazit.
Në kohën kur procesi ndaj Emiljano Shullazit ka hyrë në fazën kritike, një nga dëshmitarët tërheq dëshminë e tij të dhënë në Prokurori kundër të pandehurit. Mitri Prifti, sipas prokurorit, Ened Nakuçi nuk ka dëshmuar para trupës gjykuese atë që kishte thënë më herët para orficerëve të Policisë Gjyqësore.
Në momentin që dëshmitari u bë gati për të folur, Emiljano Shullazi replikoi me relatorin e çështjes Fran Prendi, duke u larguar në mënyrë demonstrative nga salla së bashku me anëtarët e tjerë të grupit. Por ky veprim nuk e pengoi trupin gjykues të vijonte procesin e marrjes në pyetje së 32-vjeçarit me origjinë nga Kuçova.
Prifti, është kushëriri i parë i Jani Zakës, biznesmenit të cilit disa muaj më parë iu vendos një sasi lëndë eksplozive në garazhin e tij, pranë zonës së njohur ndryshe “Parku i Mallrave”. Prifti pohoi në sallën e gjyqit se, Zaka i kishte thënë që kishte pasur problem pronësie me familjen Sinani. Por këto thënie dhe largimi i së vërtetës sipas prokurorit, nuk kanë të bëjnë me personin që është nën hetim, Emiljano Shullazi. Mitri Prifti kishte pohuar në janar 2016, pranë oficerit të Policisë Gjyqësore se nga biseda që kishte bërë me Jani Zakën, ai i kishte thënë se ka marrë kërcënime edhe nga Shullazi. Por në këtë seancë gjyqësore, dëshmitari nuk i përmendi këto thënie të pohuara më herët në Prokurori. Kjo gjë ka detyruar organin e akuzës të kundërshtojë dëshminë e Priftit dhe të merret si provë ajo e dhënë në janar të 2016.
Kjo gjë hasi në kundërshtimin e mbrojtësve të Emiljano Shullazit dhe miqve të tij. Sipas tyre, Shullazi është akuzuar në muajin mars të 2016 kështu që dëshmia e Priftit, e dhënë më herët, nuk duhet të merret parasysh. Të martën e ardhshme pritet të japë dëshminë e tij edhe ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho, për të cilin, trupi gjykues do të urdhërojë policinë ta sjellë forcërisht në rast mosparaqitjeje.