Shkatërrim i plotë i Koresë së Veriut, bomba e Trump

United States President Donald Trump speaks during the United Nations General Assembly at U.N. headquarters, Tuesday, Sept. 19, 2017. (AP Photo/Seth Wenig)

Presidenti Donald Trump është shprehur me paralajmërime të hapura për një shkatërrim të plotë të Koresë së Veriut nëse regjimi komunist i Kim Jong Unit kërcënon Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Shteteve të Bashkuara e bëri kërcënimin në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku zoti Trump foli edhe për terrorizmin, programin bërthamor iranian dhe sfida të tjera dhe rolin e OKB në përgjigje të këtyre sfidave.
Ishte një fjalim që reflektonte mishërimin e realizmit parimor që Presidenti Trump thotë se do të ndjekë administrata e tij në përgjigje të sfidave globale.
Ai u ndal tek ato që identifikoi si sfidat madhore ndaj paqes dhe sigurisë globale, ku veçoi terrorizmin dhe vendet e papërgjegjshme që mbështesin terrrorizmin apo kërcënojnë rendin global. Duke folur për Korenë e Veriut, Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara kanë fuqi dhe durim të pamasë, por do të veprojnë nëse nuk kanë rrugëdalje tjetër. Ai i dërgoi një paralajmërim të fortë regjimit koreanoverior.
“Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për ta shkatërruar plotësisht Korenë e Veriut, nëse nuk ka rrugëdalje tjetër për të mbrojtur veten dhe aleatët”.
Presidenti Trump u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare në OKB të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit. Ka ardhur koha që Koreja e Veriut të kuptojë se çarmatimi bërthamor është e vetmja rrugë drejt së ardhmes, tha zoti Trump.
Në fjalimin e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara foli edhe për regjimin iranian që e akuzoi se po mban peng të ambicieve të tij bërthamore një komb me një histori të gjatë e të shquar. Presidenti përsëriti synimet e tij për të anuluar marrëveshjen bërthamore me Iranin të arritur gjatë administratës Obama.
“Nuk mund të lejojmë që një regjim vrasës të vazhdojë në këtë rrugë destabilizimi. Nuk mund të vazhdojmë me këtë marrëveshje nëse nuk është gjë tjetër veçse një maskim i një programi që synon prodhimin e armëve bërthamore. Sinqerisht ky program është turp për Shtetet e Bashkuara”.
Presidenti Trump përsëriti në momente të ndryshme gjatë fjalimit se në politikën e jashtme, administrata e tij do të udhëhiqet nga parimi i vënies së interesave amerikane në plan të parë, ashtu si çdo udhëheqës tjetër në botë që duhet të vërë të mirën e kombit të tij në plan të parë, tha zoti Trump.
Ai kritikoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nuk po përmbush misionin e saj. Në rrjedhën e viteve, tha Presidenti Trump, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të kontribuojnë shumë më tepër se pjesa dërrmuese e anëtarëve të organizatës, por nuk po shohin përfitime nga ky angazhim. Tepër shpesh fokusi i kësaj organizate nuk ka qenë zgjidhja e problemeve, por elemente burokratike të procesit, u shpreh zoti Trump. Ai përsëriti nevojën që edhe vende të tjera të përmbushin angazhimet që u takojnë në mbështetjen e organizatave ndërkombëtare.
Presidenti tha se kjo periudhë është e mbushur me premtime e potencial të madh në drejtim të shkencës e mjekësisë, mundësi të pafundme që do të përmirësojnë jetën e njerëzimit, por gjithashtu edhe me sfida madhore, si terrorizmi dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale që kërkojnë një punë të përbashkët në adresimin e tyre.

 

Trump flet pa doreza në Kombet e Bashkuara

Phenjani, vetëm gjatë muajit shtator, ka testuar një bombë të dyshuar hidrogjeni dhe një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi.
Trump i mirëpriti sanksionet e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë Veriore, por tha se duhet bërë më shumë.
Trump tha se është koha që të gjitha vendet të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit, derisa ai të ndalojë sjelljen armiqësore.
Trump po ashtu tha se bota duhet t’i kundërvihet Iranit, të cilin e quajti “një tjetër regjim vrasës”, i cili “minon paqen në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Ai tha se Teherani nuk duhet të lejohet të vazhdojë zhvillimin e “raketave të rrezikshme”.
Duke folur për marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Trump i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se nuk mund të pajtohet me një marrëveshje, nëse ajo shërben si mbulesë për zhvillimin e programit bërthamor.
“Marrëveshja me Iranin ishte një nga transaksionet më të këqija dhe më të njëanshme që ka bërë SHBA-ja. Sinqerisht, marrëveshja është e turpshme për SHBA-në”, tha Presidenti amerikan, duke iu refereuar marrëveshjes së epokës së paraardhësit të tij, Barack Obama.
Qeveria iraniane maskon një diktaturë të korruptuar me maskën e rreme të demokracisë, shtoi Trump. Ai kritikoi edhe Rusinë dhe Kinën dhe tha se shtetet duhet t’i flakin kërcënimet ndaj sovranitetit “nisur nga Ukraina deri në Detin e Kinës Jugore”.
Siç pritej, presidenti Donald Trump paralajmëroi Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rrezikun nga kombet e papërgjegjshme, duke veçuar Korenë e Veriut dhe Iranin.