Seria A largon katenaçon. Goleadorët shkëlqejnë

Kampionati italian i jep lamtumirën katenaços. Dybala, Mertens, Dzeko, Kaliniç, Imobile dhe Belloti, java e katër e Seria A do të futet në histori si dita e bomberave. Tregolëshi i “La Joya” dhe i belgut të Napolit, së bashku me dygolëshin e bashnjakut të Romës, Imobiles dhe sulmuesit të kuqezinjve, Kaliniç sigurisht dhe pa harruar atë të mister 100 milionëshit të Torinos, Belloti konfirmuan se sezoni i ri 2017-2018 i kampionatit italian do të jetë më shumë nën hijen e bomberave se sa të mbrojtjes, siç dhe jemi mësuar ndër vite nga futbolli i vendit fqinj. Sidoqoftë kjo listë e ka një lider dhe ai numri 10 i Juventusit, Paolo Dybala. Që prej momenti kur drejtuesit e bardhezinjve vendosën t’ia jepnin argjentinasit këtë numër, La Joys ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.
Momentalisht 23-vjeçari kryeson listën me 8 rrjeta të realizuara, por po të llogarisim edhe dygolëshin në finalen e Superkupës së Italisë ai arrin në kuotën e 10 golave. Duhet të kthehemi prapa në kohë për të gjetur një sulmues që në javën e katërt kishte arritur të realizonte kaq shumë gola. Forma që po shfaq argjentinasi është impresionuese, por ajo çka ia shton akoma edhe më shumë dozat e meritave, 23-vjeçarit janë goditjet e tij.
Dybala mund të shënojë në shumë mënyra, një gjë e tillë u pa edhe në takimin ndaj Sasuolos. Shifrat flasin qartë, 52 gola në 100 paraqitje me fanellën e Zonjës së Vjetër. Tekniku Allegri mund të gjejë ngushëllim tek forma e numrit 10, sepse tek sulmuesi tjetër, Gonzalo Higuain, për të cilin Juventusi shpenzoi 90 milionë euro dhe sezonin e kaluar vendosi një rekord në Seria A, të paktën për momentin nuk mund të presë shumë. Sulmuesi i Interit, Mauro Icardi gjithashtu nuk mund të buzëqeshë. Ndaj Crotones e vetmja gjë që spikati ishte ngjyra e flokëve, sepse në lojë thjesht sa i bëri hije fushës. Icardi e sheh veten të parakalohet në listën e golashënuesve, nga dy bomber të tjerë, Immobile dhe mund të arrihet nga Mertens, me këtë të fundit që më shumë se sa një sulmues krahu ngjan si një 9 i fshehur.
Dzeko i Romës është aty, me uljet dhe ngritjet. Shpesh shfaqet vendimtar e në disa raste të tjera, humbet raste të pastra shënimi. Sidoqoftë filozofia e futbollit italian duket se po ndryshon ose kaq shumë gola të shënuar në fundjavë edhe mund të jetë një rastësi për të këtë nuk mundesh dot të japësh një përgjigje përfundimtare. Dikur në Itali kampionati fitohej nga skuadra që kishte mbrojtjen më të fortë, por këtë sezon përshtypjet janë që rregullat mund të ndryshojnë, ndoshta sulmi më i mirë do të bëjë diferencën. Nuk e dimë, është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, me plot pengesa. Sidoqoftë deri në xhiron e fundit, një gjë është e sigurt, kampionati italian, gradualisht po i rikthehet magjisë së dikurshme.