Rritet ndjeshëm konsumi i ilaçeve nga plakja e popullsisë

Cassetti contenenti farmaci all'interno di una farmacia a Roma, in una immagine di archivio. ANSA/VIRGINIA FARNETI

Importi i ilaçeve është një trend rritës prej një dekade edhe pse popullsia e vendit është pakësuar, por vitet e fundit rritja është më e fortë. Gjatë periudhës janar-gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike pësuan një rritje vjetore 14% në vlerë dhe 7% për qind në sasi. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 8-mujorit u importuan 3374 tonë produkte farmaceutike në krahasim me 3128 tonë në 8-mujorin 2016. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishin importuar 2702 tonë medikamente. Në ecuri të drejtë me sasinë e medikamenteve të blera jashtë vendit patën edhe shpenzimet, të cilat arritën në 15.9 miliardë lekë gjatë janar-gusht 2017, nga 13.9 miliardë lekë që ishin më 2016, me një rritje 14%. Në lidhje me këto zhvillime farmacistët dhanë disa arsye, duke pohuar edhe trendin në rritje të konsumit të ilaçeve. Plakja e popullsisë, rezistenca në rritje ndaj medikamenteve dhe rritja e sëmundshmërisë janë tre shkaqet kryesore që sipas farmacistëve në pikat e pakicës kanë rritur konsumin e medikamenteve.
Plakja e popullsisë është faktori kryesor. Shtimi i numrit të të moshuarve shpjegojnë farmacistët rrisin sasinë e konsumit të ilaçeve për tensionin, zemrën, parkinsonin, etj. Moshat e thyera vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike në shumë raste, ndaj dhe ata janë kontingjenti më i madh i blerjes të medikamenteve. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8 për qind të krejt totalit të popullsisë nga 15.4 për qind që ishte më 2011. Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistentë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje konsumon më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara apo dhe jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave.
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në veçanti, 73% e individëve gabimisht konsideruan se dhembjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% te individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhembje të përgjithshme të trupit dhe të kokës respektivisht.
Një faktor tjetër lidhet me rritjen e sëmundshmërisë për mijë banorë. Prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%, teksa gjithnjë e më shumë po preken moshat e reja. Faktorët përgjegjës dhe masat parandaluese. Si kanë evoluar sëmundjet në dy dekadat e fundit dhe ndikimi në ekonomi. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë. Aktualisht, Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore, i cili ka shënuar rritje në nivelin e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës në dy dekadat e fundit. Gjithashtu të sëmurët me diabet po rriten me shpejtësi dhe konsumi për medikamentet që e mbajnë atë nën kontroll janë rritur me shpejtësi.