Rinovon Isco me një klauzolë të çmendur

Një fillim sezoni si protagonist te Reali i Madridit dhe mbi të gjitha ai 2 golësh në fitoren fantastike 3-0 të Spanjës ndaj Italisë në elimintoret e botërorit, kanë bërë që të gjithë reflektorët të ndriçojnë mbi të. Francisco Alarcon Suarez, i njohur nga të gjithë si Isco po kalon një moment me të vërtetë të artë. Duke parë shifrat e shpenzuara në këtë merkato nga Paris Saint Germain për blerjet e Neymar dhe Mbappe, Reali i Madridit ka vendosur të mos rrezikojë me 25-vjeçarin, i cili është shumë i kërkuar nga klubet e tjera europiane, duke e blinduar Iscon me një kontratë të re deri më 2022. Por lajm nuk përbën marrëveshja e re e mesfushorit me Los Blancos, as paga prej 6 milionë eurosh në sezon që do të përfitojë ish-mesfushori i Malagas, por klauzola që Reali i ka vendosur në kontratën e re.
Nëse Paris Saint Germain, Barcelona, Manchester United, Manchester City ose Chelsea do të tentojnë blerjen e Iscos në të ardhmen duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, sepse për t’ia rrëmbyer mesfushorin tashmë duhet të derdhin në arkat e klubit merengues shifrën stratosferike të plot 700 milionë eurove. Është kjo klauzola e çmendur që presidenti Florentino Perez ka vendosur në kontratën e re të mesfushorit, duke larguar në këtë mënyrë të gjitha sirenat e merkatos që kanë të bëjnë me yllin e përfaqësues La Roja. Rinovimi i Iscos nuk ishte i vetmi në shtëpinë e Realit, sepse me Los Blancos ka zgjatur marrëveshjen aktuale edhe mbrojtësi i krahut të majtë Marcelo. Braziliani, i cili konsiderohet si një lojtar i pazëvendësueshëm nga trajneri Zidane për shpejtësinë, teknikën dhe klasin e lartë që zotëron ka rinovuar gjithashtu deri në vitin 2022 me Realin e Madridit.