Real i Madridit për rekord

Real Madrid lë pas periudhën e keqe në kampionat ku regjistroi 2 barazime radhazi, duke iu kthyer rrugës së suksesit në një transfertë të vështirë, në Anoeta ndaj Real Sociedad. Triumfi në tokën baske nuk lejon Barcelonën të shkëputet më tej, ndërkohë që formacioni i Zinedine Zidane barazon dhe një rekord historik. Fitorja 3-1 ndaj Sociedad e çon në 73 numrin e ndeshjeve radhazi ku Los Blancos kanë shënuar gol, duke barazuar rekordin e mbajtur nga Santos i Pele ndërmjet viteve 1961-63. Për herë të fundit që Reali nuk shënonte gol ishte 26 prill i 2016, në sfidën ndaj Manchester City-t e vlefshme për Champions League. Sfida u duk e lehtë që në start, pasi në minutën e 19 Borja Mayoral realizoi golin e parë të mbrëmjes, në të parën tentativë personale në portë. Në mungesë të yllit portugez të madrilenëve Cristiano Ronaldo që vuan ende kartonin e kuq të marrë në Superkupë, është një tjetër portugez që bëhet protagonist. Në minutën e 28 Kevin Rodrigues barazon shifrat duke rikthyer entuziazmin në Anoeta. 8 minuta më pas 23-vjeçari shënon një tjetër gol, por kësaj radhe në portën e tij duke rikthyer epërsinë e Los Blancos.
Pavarësisht se trajneri Eusebio Sacristan hedh në lojë Carlos Velën në kërkim të barazimit, golin do e shënojnë sërish miqtë. Gareth Bale është shumë i shpejtë për kundërshtarin, duke shënuar golin e 3 për Realin në minutën e 61. Uellsiani konfirmohet golashënuesi më i mirë në Anoeta nga të gjithë futbollistët e tjerë në La Liga, pasi ky ishte goli i 6 për të në këtë stadium. Athletic Bilbao nuk arrin të mbajë ritmin, pasi është ndalur në Gran Canaria nga Las Palmas, në një ndeshje që rezultati është vendosur nga stoli. Loic Remy është heroi i mbrëmjes për vendasit, që hyri në fushë në minutën e 64 për të çuar peshë tifozët 3 minuta përpara fundit. Për 30-vjeçarin ky është goli i dytë pas dy gjuajtjeve në portë këtë sezon, ndërkohë që Las Palmas largohet përkohësisht nga zona e ftohtë në kuotën e 6 pikëve.